Transmetuar më 30-09-2013, 12:58

Tiranë, 30 shtator 2013, NOA – Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, priti sot në një takim Ambasadorin e Hungarisë, Janos Huszar.

Ministrja Gjosha, shprehu mirënjohjen për dëshirën e mirë të Hungarisë për të ndihmuar Shqipërinë në procesin e vështirë të integrimit. Ajo u thellua në aspekte konkrete ku mund të ofrohet ndihmesa e Hungarisë si shkëmbimi i përvojës, shkëmbimi i ekspertizës, njohja me institucionet Hungareze.  Gjosha e njohu Ambasadorin me prioritetet e Qeverisë aktuale ku Integrimi në BE është kryesori, ndër të tjera edhe reforma në sistemin gjyqësor, lufta kundër korrupsioni e krimit të organizuar etj. Ministrja Gjosha e siguroi Ambasadorin se konsensusi dhe dialogu me opozitën janë shumë të rëndësishëm për Qeverinë Shqiptare dhe se të gjitha palët duhet të jenë aktorë aktivë në procesin e integrimit Europian të Shqipërisë, pasi ky është një qëllim i përbashkët për të cilin të gjithë duhet të kontribuojmë.

Ambasadori Huszar vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Hungarisë. Ambasadori u shpreh se Shqipëria është një partner i ngushtë dhe një fqinj i rëndësishëm për Hungarinë dhe se shihet si vend mik, prandaj është mirë që dy vendet të kenë bashkëpunim të ngushtë. Ai shprehu gadishmërinë për të ndihmuar Shqipërinë në shumë forma duke shkëmbyer përvojën e Hungarisë në procesin e integrimit Evropian.

a.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit