

Shkup, 30 shtator 2013, NOA.al – Opozita maqedonase kërkoi që një pjesë e funksionarëve të lartë qeveritarë të publikojnë pasuritë e tyre.
Kërkesa u bë sot nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) e cila ka parashtruar disa pyetje në adresë të partisë më të madhe në pushtet VMRO-DPMNE të kryeministrit Nikolla Gruevski.
“A është nepotizëm dhe konflikt interesi emërimi i kushërinjve të parë dhe të kumbarit të kryeministrit si kontrollues të jetës shoqërore dhe të biznesit në Maqedoni, një precendent që nuk është shënuar në historinë më të re politike të Evropës. A është pasuruar kushëriri i Gruevskit, Sasho Mijallkov me një miliardë euro. Si ministrja e brendshme Gordana Jankullovska, deputeti Vllatko Gjorçev dhe funksionarë të tjerë janë pasuruar me rrogat administrative. Gruevski, Mijallkov dhe Stavrevski a janë truri i operacionit, ku gjatë shtatë viteve kanë transferuar më shumë se 3,5 miliardë euro para të qytetarëve në drejtim të panjohur apo në xhepa private”, janë pyetjet e parashtruara nga LSDM.
Kjo parti ka theksuar se në shenjë të transparencës dhe moralit është e gatshme për një debat publik televiziv midis liderit të tyre Zoran Zaev dhe kryeministrit dhe liderit të VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski. /n.p/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





