

Novara, NOA.al- Një ngjarje e rëndë në Novara të Italisë ka si protagonist një mjek gjinekolog, i cili u arrestua nën akuzën e abuzimit seksual, ndaj disa femrave, paciente të tij mes tyre edhe shqiptare.
Protagonisti i kësaj ngjarje është një 62 vjeçar Carlo Gambaro nga Novara, i cili pasi kishte dalë në pension, kishte nisur punë në një klinikë private në San Gaudenzio të Novara.
Shkak për arrestimin e tij ishin hetimet e nisura nga policia gjatë muajit gusht, pas denoncimit të një vajze shqiptare të moshës 19 vjeçare.
Vajza denoncoi në polici, se mjeku në përfundim të një vizite gjinekologjike kishte vijuar ta prekte më tej në pjesët intime, duke abuzuar seksualisht me të.
Mjeku duket se nuk është i ri në këtë akuzë, pasi krahas 19 vjeçares shqiptare, ishin dy gra të tjera të huaja, njëra prej tyre gjithashtu shqiptare shtatzënë, që vijuan denoncimet në polici për abuzimin e pësuar nga gjinekologu.
“Tre gra janë përdhunuar në të njëjtën mënyrë në studion e tij. Fakti që tre persona që nuk njiheshin me njëra-tjetrën kanë treguar një version identik të ngjarjes, hedh dyshime se numri i viktimave mund të jetë i lartë. Zakonisht ai sulmonte vajza e reja dhe të këndshme dhe mundësisht të huaja”, -ka deklaruar prokurorja e çështjes, Silvia Passoni. a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





