

Tiranë, NOA.al – Edhe nga njerëzit e vdekur përpiqen të nxjerrin para dhe ia kanë dalë, të paktën deri mbrëmjen e së shtunës kur një grup që kishte organizuar këtë Pazar të fëlliqur është futur në grackë policore pas një operacioni të posaçëm.
Sektori Kundër krimit Ekonomik e Financiar në Policinë e Tiranës, finalizoi me sukses operacioni “Miks 2013”, në kuadër të të cilit u bë e mundur goditja e këtij grupi, që mashtronin me pensionet, duke i përvetësuar ato.
Në kuadër të këtij operacioni u bë i mundur arrestimi i 5 shtetasve:
Shpëtim Lika, 35 vjeç, banues në Tiranë, ish punonjës në detyra të ndryshme pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, në kohën kur janë krijuar dosjet.
Lumnije Dibra, 53 vjeç, banuese në Tiranë, specialiste tek ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Tiranë
Abaz Stafhasani, 69 vjeç, banues në Tiranë,
Lirije Stafhasani, 58 vjeç, banues në Tiranë,
Nexhat Nasufi, 68 vjeç, banues në Tiranë.
Burime zyrtare nga ministria e Brendshme i konfirmuan agjencisë së lajmeve noa.al se arrestimi i tyre është bërë nën akuzën e konsumimit të veprave penale të korrupsionit pasiv, korrupsionit aktiv, falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimit të kryera në bashkëpunim.
Zbulimi dhe goditja e këtij grupi u bë e mundur falë një hetimi të shtrirë në harkun kohor të rreth një viti e gjysmë.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë krijuar dhjetëra dosje pensionesh për persona të vdekur apo të krijuar fiktivisht, me qëllim përfitimin e tyre, ku vlera e pensionit mujor varionte nga 13.000 lekë në 18.000 lekë.
Ndërkohë që dosjet ishin plotësuar më vonë, koha e përfitimit të pensionit fillonte nga viti 1998, duke arritur kështu të përfitonin shuma të konsiderueshme.
Nga hetimet e kryera është arritur të dokumentohet aktiviteti kriminal i këtyre shtetasve. Sakaq strukturat e Policisë së Tiranës po vijojnë hetimet edhe për 4 persona të tjerë, të cilët dyshohen të jenë përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Kurse materialet procedurale në ngarkim të tyre do t’i kalojnë për veprime të mëtejshme strukturave të Prokurorisë. a.a/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





