Transmetuar më 28-09-2013, 23:59

Durrës, NOA.al – Një anije është sekuestruar nga autoritetet shqiptare kurse pronari i saj është arrestuar në flagrancë bashkë me kapitenin e një rimorkiatori pasi shihen si abuzues me ligjin përmes kontrabandës dhe shmangies së zhdoganimit.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës, konfirmuan për agjencinë e lajmeve noa.al se mbrëmjen e sotme, u arrestuan në flagrancë shtetasit:

Eduard Kulla, vjeç 47, banues në Durrës, pronari i anijes “Tabakosky”;

Emiljano Gjepali, vjeç 34, banues në Durrës, kapiten i rimorkiatorit “Aleks 1”, që ka ankoruar anijen “Tabakosky” në Portin e Durrësit/

Këta persona akuzohen për kryerjen e veprës penale “kontrabandë me mallra të tjera”.

Në foto shikoni operacionin policor që u krye nga policia lokale te Kalata lindore e Portit Durrës.

Anija “Tabakosky” është ankoruar rreth orës 12:00 të ditës së djeshme në Portin e Durrësit, duke përdorur ndihmën e rimorkiatorit “Aleks 1”, pasi Autoriteti Portual nuk i kishte miratuar hyrjen në port.

Ndërkohë nga hetimet e kryera nga strukturat e krimit ekonomik e financiar të Policisë së Durrësit ka rezultuar se për këtë anije nuk janë kryer proceduarat e zhdoganimit.

Kjo anije ka mbërritur rreth orës 11.00 në Durrës nga Mali i Zi, me qëllim për t’u shitur për skrap.

Strukturat e policisë thonë se po vazhdojnë punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj vepre penale, ndërkohë materialet procedurale në ngarkim të këtyre dy shtetasve do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë. /a.a/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit