Transmetuar më 28-09-2013, 07:56

Një rrëfim ndryshe i ikonës së muzikës popullore, Shkurte Fejza. Tregon për dënimin me burg për një këngë dhe vuajtjet nga politika. “Si na dënuan me burg mua dhe bashkëshortin tim, pengesat që kam hasur nga politika”.

Ndalet te sfidat dhe sakrificat që ka bërë në emër të këngës dhe thekson: “Këngët e mia jehojnë atdhedashuri, faleminderit Shqipëri, për herë të parë ndjej dorën e ngrohtë të shtetit”.

Pohon se kompozitorët nuk përkrahen, nuk motivohen që të krijojnë më shumë. Kërkon që të rinjtë e sotëm të ruajnë dhe kultivojnë trashëgiminë kulturore. 

Intervistoi: Albina Gjergji, gazeta “Koha Jonë” 

Nuk mund të japë një datë të saktë të startit të saj në muzikë, sepse ajo ka kënduar ende pa u njohur me shkronjat, por e mban mend fort mirë daljen e parë në skenë. Ka qenë vetëm 7 vjeç, kur këngëtarja e njohur e muzikës popullore shqiptare, Shkurte Fejza do të rrokte për herë të parë duartrokitjet më të ngrohta që kishte provuar deri në atë moment. “Kam kënduar që në klasë të përpara një publiku lokal, domethënë në fshat, pastaj kam vazhduar me koncerte në nivel komunal e më vonë me suksese të ndryshme në nivel kombëtar”, shprehet këngëtarja e njohur për gazetën “Koha Jonë” lidhur me fillimet e saj në muzikë. Këtë vit shënon 40 vjet në skenë dhe mjaft e emocionuar ajo na tregon se rrugëtimi i saj në muzikë nuk ka qenë i lehtë për të, kjo jo vetëm për arsye se ishte një “vajzë fshati” dhe i duhej dyfishi i punës për të depërtuar suksesshëm në tregun muzikor të asaj kohe, por edhe sepse siç tregon vetë ajo, shumë janë përpjekur ta pengojnë me presione politike. Por ia ka dalë… Falë talentit, mbështetjes së prindërve dhe bashkëshortit të saj, emri i Shkurte Fejzës renditet në listën e këngëtarëve më të dashur të muzikës sonë popullore. Është vlerësuar me çmime të ndryshme dhe nderimi më i freskët që i është bërë kohët e fundit është titulli “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani. Lidhur me këtë dekorim, sfidat, sakrificat, raportin me bashkëshortin, publikun, fëmijët dhe muzikën… artistja e shumë hiteve rrëfehet me detaje në intervistën e mëposhtme.   

Shumë vite në skenë, shumë çmime dhe vlerësime. Znj. Fejza mund të na thoni si e kujtoni daljen tuaj të parë në skenë dhe kur daton ajo?

Fillimet në këngë nuk mund t’i përcaktoj saktësisht, sepse siç thuhet, njeriu këndon edhe pa mësuar shkronjat. Kam kënduar që e vogël në programet e shkollës, që nga klasa e parë e fillores para një publiku lokal, domethënë në fshat, pastaj kam vazhduar në koncerte në nivel komunal e më gjerë në nivel kombëtar. Në fshatin tim asokohe ishte themeluar një Ansambël muzikor, që quhej Shoqëria Kulturore Artistike, “Afërdita”, në të cilën unë jam anëtare që nga krijimi. Ka qenë fillimi i viteve ‘70-të. Diku në vitin 1974 paraqitem në disa koncerte me Ansamblin dhe bëhet një emision televiziv në RTP. Pastaj në vitin 1975 kam marrë pjesë në një festival të Ansambleve amatore, ku jam shpërblyer si debutuesja më e suksesshme e festivalit. Deri në vitin 1978 kam patur aktivitete të vogla me Ansamblin e fshatit. Viti 1978 ka qenë një vit kthese në aktivitetin e Ansamblit tonë, po ashtu edhe për mua. Në këtë vit mbahet Festivali i Gjirokastrës dhe aty pati shumë këngë të bukura folklorike. Ne në atë kohë ndiqnim TVSH, kuptohet ilegalisht dhe këngët e festivalit ishin të mirëpritura. Zgjodha këngët më të mira dhe i përgatitem me orkestrën tonë. Filluan koncertet në vitin 1979 në mbarë Kosovën. Në Radiotelevizionin e Prishtinës punonin disa artdashës të mëdhenj dhe u angazhuan në realizimin e një emisioni televiziv me këngët tona. U bënë dy emisione nga 40 minuta, njëri u emetua, ndërsa tjetri jo, sepse reagimi i shtetit ndikoi. Gjatë vitit 1979-1980 kemi mbajtur koncerte non-stop në të gjitha qytetet dhe fshatrat ku kishte salla. Kulmin e karrierës sime e kam arritur që atëherë edhe pse isha shumë e re. Që prej asaj kohe jam munduar ta mbaj këtë popullaritet, kuptohet duke punuar në vazhdimësi dhe duke bërë ndryshime graduale drejt ngritjes profesionale. 

Ju keni nisur të këndoni që nga viti 1979, sa e vështirë ka qenë për ju si femër që të depërtoni suksesshëm në muzikë? A keni hasur pengesa dhe në ç’aspekt me së shumti?

Rruga ime drejt këngës ka qenë pak më specifike, sepse kam qenë nga fshati dhe kuptohet se nuk kanë qenë kushtet e përshtatshme. Pastaj përmbajtja e këngëve të mia nuk është shikuar me sy të mirë nga pushteti i asaj kohe. Të gjitha këto kanë qenë pengesa të mëdha, ndoshta edhe një sfidë e pakapërcyeshme, por njeriu i arrin të gjitha kur është i vendosur të arrijë cakun që i ka vendosur vetes. Gjatë gjithë karrierës sime kam pasur vetëm pengesa nga pushteti. Pas një afirmimi të madh në vitin 1979-1980 vjen koha kur kënga ime ndalohet në vitin 1981 për disa vite. Edhe në radio, edhe në TV, edhe në festivale. Dënimi me burg për mua dhe bashkëshortin tim në vitin 1986 për arsye se këndova në Tetove në një dasmë. Largimi nga puna në vitin 1988, konfiskimi i pasaportave për ne të dy e kështu me radhë. Të gjitha këto presione për ne kanë qenë edhe një vullnet më i madh, sepse po bëjmë punë të mirë dhe nuk jam ndalur. Kam realizuar këngë dhe albume në Kroaci, sepse atje ishte atmosferë më e qetë dhe ishim më të lirë. Pastaj në Prishtinë dhe në fund të vitit 1989 dhe fillim të 1990 kam realizuar këngën dhe albumin, “Kosovë, nana ime” dhe kam arritur kulmin e karrierës sime, për të vazhduar edhe më furishëm në vitet në vazhdim me këngë dhe hite të reja.

Si ka qenë mentaliteti asokohe për femrat që guxonit të ndiqnin ëndrrat e tyre?

Unë isha nga fshati dhe ishte shumë e vështirë të depërtoje. Këngëtaret para meje ishin të rralla dhe nuk kishin arritur shumë dhe nuk shikoheshin me sy të mirë nga populli. Ishte një kohë, ku ishte problem vazhdimi i shkollës për vajzat e lëre më të këndoje. Unë duhej jo vetëm të këndoja dhe të arrija suksese, por edhe të isha një shembull i mirë. Në këtë drejtim kam pasur sukses, sepse pas meje filluan edhe vajzat e tjera nga fshati im të këndonin dhe kanë arritur sukses. Prej asaj kohe e deri më tani këngën popullore kosovare, kryesisht e kultivojnë me plot sukses femrat nga ky fshat, që jemi të njohura edhe si “Bilbilat e Mushtishtit”. 

Kush ka qenë mbështetja juaj më e madhe në startin e karrierës?

Fillimisht mbështetje kanë qenë prindërit e mi, të cilët më kanë mirëkuptuar edhe pse nuk ka qenë e lehtë për ta. Ne jetonim në fshat, çdo lëvizje shikohej me një sy tjetër, por sidomos në vitin 1979-1980 ne patëm shumë sukses me Ansamblin. Këngët tona shikoheshin nga populli më ndryshe dhe kishin një mision të caktuar me tekste patriotike dhe luanin një rol të madh. Deri atëherë kishte vërshuar muzika sllave dhe pak dëgjohej shqip. Lirisht mund të them, por edhe është vlerësim i përgjithshëm se, ne e larguam atë muzikë nga rinia e asaj kohe. Në këtë periudhë jam njohur me Hajrushin, bashkëshortin tim dhe në vitin 1980 jemi fejuar e që nga ajo kohë jemi bashkë. Ishte mbështetja dhe angazhimi i tij që më ka shoqëruar deri më sot. Të gjitha që kam arritur i kemi bërë bashkë.

Shumë këngë, shumë hite, shumë duartrokitje dhe trofe. Cilin prej këngëve nga repertori juaj muzikor doni më fort?

Kam shumë këngë që janë bërë hite si: “Kosovë, nana ime”, “Xhamadani vija-vija”, “Mbahu nëno, mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë”, “E kam emrin kosovar”, “Shqiptari të dua”, “Mora fjalë”, “Jo nuk ndahet Mitrovica”, “Ëndrra shekullore”, etj.. Të gjitha janë këngë që kanë pasur sukses dhe i dua shumë.

A ka një këngëtare një këngë që e do më shumë, sesa të tjerat edhe pse nuk e pranon më zë të lartë?

Është e vërtetë që ndonjë këngë të pëlqen më shumë, apo sikur të fle më tepër, ose është krijuar në rrethana të caktuara dhe paraqet diçka të veçantë për ty. Këtë e këndon edhe me zë më të vogël, vetëm për vete, por zakonisht këngët që bëhen hite sikur të kaplojnë më tepër, sepse i përdor më shumë nëpër koncerte dhe mishërohesh me to. Sidomos ato që bëhen mega-hite dhe për shumë vite, që unë kam rastin me “Xhamadani vija-vija”, që është për 21 vite një hit i madh.

Bashkëpunimet më të suksesshme në Festivalet, apo duetet që keni debutuar?

Festivalet dhe duetet plotësojnë karrierën e këngëtarit, por nuk mjaftojnë për një sukses të madh. Unë nuk ju kam dhënë shumë rëndësi. Fillimisht kam marrë pjesë në festival, pastaj më është ndaluar pjesëmarrja, kam punuar individualisht dhe në fund nuk kam pasur nevojë. Në vitin 1994 kam marrë pjesë në Festivalin Botëror të Folklorit me Ansamblin shtetëror të Këngëve dhe Valleve në USA dhe jam shpërblyer me një çmim special. Kam realizuar disa duete dhe potpuri këngësh me këngëtaret e fshatit tim, si “Bilbilat e Mushtishtit”, etj.

Na përmendni disa nga kompozitorët, më të cilët keni prekur majën e suksesit?

Personalisht i kam dhënë rëndësi të madhe bashkëpunimit me kompozitorët më të mirë shqiptarë. Jam nisur nga fakti që, një këngë mund të jetë e suksesshme vetëm kur ka një tekst të mirë, një kompozim të mirë dhe një këndim solid. Pastaj edhe orkestrimi duhet të jetë në funksion të tre elementëve të parë. Kam bashkëpunuar me të ndjerin Pjetër Gaci disa këngë, me Zef Çobën po ashtu disa këngë që kanë bërë së bashku një album. Nga ky album ka pasur shumë sukses kënga, “Xhamadani vija-vija”. Kjo këngë është realizuar në vitin 1992 dhe është bërë hiti më i madh kombëtar i të gjitha kohërave. Këngë, e cila më ka shoqëruar për 20 vjet me radhë në të gjitha koncertet e mia, në të gjitha trojet shqiptare dhe diasporë, po ashtu edhe në këto vitet e fundit edhe në Shqipëri, e sidomos me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Gjithashtu kam bashkëpunuar me kompozitorin Kolë Susaj, me Edmond Zhulalin, me Naim Gjoshin, si dhe me Xhevdet Gashin, Naim Krasniqin, Valton Beqirin, Burim Krasniqin, etj.

Për disa breza keni qenë dhe jeni muzë, frymëzim znj. Fejza. Si ndjeheni teksa dëgjoni përshtypje të tilla për veten?

Njeriu fillimisht duhet të vendosë se çfarë do, ku do të shkojë, të përcaktojë synimet e veta, pastaj ato arrihen patjetër. Unë jam orientuar e fokusuar në profilin tim që në fillim. Nuk jam munduar të imitoj askënd, nuk kam synuar të jem si dikush tjetër, sado që kam patur edhe unë idhujt e mi. Kam punuar që të krijoj identitetin tim në muzikë dhe kësaj ia kam arritur. Kur të arrish të krijosh identitet, atëherë edhe do të jesh frymëzim e të vlerësohesh. Kur arrin t’i fitosh këto përshtypje sigurisht që e ndjen veten mirë. Mua më bëjnë përshtypje të veçantë dhe ndjehem shumë e vlerësuar kur më afrohen vajza të reja, por edhe nga ato që tani janë bërë nëna e më thonë se, “emrin Shkurte ma kanë lënë prindërit nga simpatia që kanë për ju”. Ka shumë femra në Kosove që mbajnë emrin tim dhe kjo më bën përshtypje, sepse kupton që ke krijuar një imazh pozitiv tek ata.

Na flisni pak për raportin tuaj me bashkëshortin dhe vajzat?

Bashkëshorti është ai, me të cilin unë dua të ndaj suksesin tim. Ai është i gjithi i angazhuar në punën dhe karrierën time. Ne jemi bashkë prej 3-4 dekadash dhe të gjitha punët rreth këngës i kryejmë bashkë. Kam katër fëmijë, 3 vajza dhe një djalë dhe ata janë rritur me këngën e sukseset e mia. Shpesh ndjehem në faj, sepse nuk kam pasur mundësi të jem pranë tyre dhe ju kam munguar. 

Si jeni njohur me bashkëshortin tuaj dhe nëse do ta përkufizonit me një fjali dashurinë tuaj, cila do të ishte ajo?

Jemi nga i njëjti vend dhe jemi njohur herët, kur unë isha në Gjimnaz. Që atëherë jemi bashkë. Është një dashuri e përjetshme dhe më duket se duhemi më shumë se dje dhe shpresoj më pak se nesër.

Le të kthehemi përsëri tek muzika. Si ju duket ajo sot? Në ç’nivel e shikoni?

Unë i jam përkushtuar muzikës popullore dhe mundohem të jap kontributin tim në këtë fushë. Si mund të jemi të kënaqur kur as në Kosovë dhe as në Shqipëri nuk ka një Festival të muzikës popullore?! Kompozitorët nuk përkrahen, nuk motivohen që të krijojnë më shumë. Kohët e fundit disa njerëz që merren me krijimet e këngëve të reja e që quhen kompozitorë, më shumë sajojnë këngë, sesa kompozojnë dhe kanë krijuar një lloj industrie të muzikës, duke kopjuar sa andej-këtej. Mendoj se është ndezur sinjali i kuq. Unë bashkëpunoj me kompozitorët më të mirë shqiptarë dhe gjithmonë kërkesat e mia janë që këngët të kompozohen në zhanrin e muzikës popullore, duke u mbështetur në bazën e folklorit tonë burimor, që është shumë i pasur.

Ku çalon më së shumti brezi i sotëm në muzikë sipas jush?

Problemi më i madh mendoj se është fakti që nuk kanë ndjenjën që të krijojnë identitet. Identiteti nuk krijohet me kopjime, me sajime dhe imitime të të tjerëve. Vërehet lehtë se të rinjtë dëgjojnë muzikë të huaj shumë dhe mundohen të ndjekin trendet e reja dhe i kopjojnë ato. Sipas mendimit tim, ne bota na pranon me vlerat tona. Nuk them që të gjithë të këndojnë muzikë popullore, por edhe rrymat e reja le të kenë për bazë atë të bukurën, atë karakteristiken tonë. Nuk bëhet muzikë e mirë, nëse kopjohet sa në Lindje, Orient e sa në Perëndim.

Kemi këngëtarë të rinj të talentuar ne znj. Fejza? Mund të na përmendni ndonjë emër konkret?

Në çdo kohë dhe gjithmonë ka talentë të rinj, por duhet shumë punë edhe pse fillimisht duket se është profesion i lehtë. Shpesh takoj zëra të bukur dhe pastaj… heshtje! Nuk e di pse, mbase ngaqë nuk ka përkrahje për ta. Zakonisht disa që nuk kanë ndonjë cilësi më tepër imponohen nëpër radio dhe TV. 

Ndër shumë çmime, kohët e fundit jeni vlerësuar edhe me çmimin “Mjeshtër i madh” nga Presidenti i Shqipërisë, z. Nishani. Ç’domethënie ka për ju ky titull dhe si u ndjetë teksa iu dorëzua çmimi?

T’ju them të drejtën jam ndjerë shumë e vlerësuar për disa arsye. Kam realizuar dhe kënduar për 40 vite, duke u bazuar në një program kombëtar, që i kam përcaktuar vetes. Po të analizohen këngët e mia, që nga fillimi e deri më sot nuhatet se të gjitha janë në funksion të çështjes kombëtare, të së bukurës, fisnikërisë, emancipimit dhe dashurisë. Kam realizuar mbi 400 këngë, mbi 35 albume, me mijëra koncerte në të gjitha viset shqiptare dhe në diasporë, domethënë kudo ku ka shqiptarë. Me qindra e ndoshta edhe mijëra koncerte humanitare dhe manifestime përkujtimore dhe evenimente kombëtare. Kam realizuar në bashkëpunim me RTK 52 emisione, “Rrënjët Tona” për ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë sonë kulturore dhe kurrë e në asnjë rast, të paktën deri më 10 Qershor 2013 nuk më ka mbështetur asnjë pushtet, por përkundrazi kam patur vetëm presione nga më të ndryshmet e deri edhe te dënimi me burg në vitet ’80-të. Për herë të parë kam ndjerë dorën e ngrohtë të shtetit tim. Dekorohem me titullin më të lartë që i jepet një artisti për arritjet e tij në fushën e artit. Kur kësaj i shtojmë edhe faktin që dekorohem nga Presidenti i Shqipërisë së ëndrrave të mia, besoj se kjo mjafton që të kesh emocione e të ndjehesh krenare. Ka qenë një moment vlerësimi për gjithçka kam bërë për vendin tim. Këtë titull e çmoj si një vlerësim të punës dhe sakrificës sime, të familjes dhe të të gjithë bashkëpunëtorëve të mi. Andaj edhe sot them: Faleminderit Shqipëri!

Ndonjë projekt muzikor së shpejti? Çfarë konkretisht?

Për çdo vit kam lançuar nga një album dhe këtë nuk e llogaris si projekt të veçantë. Vitin e ardhshëm shënoj 40-vjetorin e veprimtarisë sime artistike dhe do të riprezantoj 40 këngët më të suksesshme të karrierës (edhe pse ka për të qenë e vështirë për të zgjedhur ndërmjet tyre). Kam edhe disa plane të tjera, që ndoshta është mirë të mbeten surprizë. Zakonisht punoj gjatë gjithë vitit dhe kur të dalë diçka e mirë e prezantoj. /Fund/

VIDEOKLIPET E SHKURTE FEJZA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit