Transmetuar më 27-09-2013, 15:58

Divjakë, 27 shtator 2013, NOA.al- Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni me rastin e Ditës Botërore të Turizmit, u ndal në një aktivitet të zhvilluar në Lagunën e Karavastasë, në Divjakë.

Në fjalën e saj ajo tha se këtë vit Dita Botërore e Turizmit ka si tematikë ujin, ndërsa shtoi se Shqipëria është një vend me rezerva të mëdha ujore, duke apeluar kujdes për ruajtjen nga ndotja dhe përdorimin në mënyrën e duhur.

Duke u ndalur në Lagunën e Karavastasë, e vendosur nën mbrojtjen e Konventës Ramsar qe nga viti 1995, Gjermeni tha se përfaqëson një nga zonat me rëndësi të veçantë për sa i përket burimeve ujore dhe ekosistemit.

“Politikat dhe programi i Ministrisë si pjesë e Qeverisë do të mundësojnë krijimin e një brandi të turizmit lokal, në nivel territorial sipas veçorive të çdo hapësire duke vlerësuar mikpritjen shqiptare edhe gërshetuar atë me potencialet natyrore të çdo zone.  Zhvillimi urban dhe turizmi janë dy sektorë që nuk bëjnë dot pa njeri tjetrin dhe si të tillë, ministria që unë drejtoj, është e angazhuar t’i japë rëndësinë që meritojnë, përmes planeve të qarta të zhvillimit urban, si edhe strategjive të zbatueshme në terren për turizmin”, deklaroi Gjermeni.

Ministria theksoi po ashtu se zhvillimi i eko-turizmit në lagunë dhe zonat përreth saj do të gjenerojë të ardhura në nivel lokal dhe kombëtar, por mbi të gjitha do të krijojë më shumë vende pune.

Ndër të tjera bëri me dije se Qeveria ka të përfshirë në program krijimin e 300 mijë vendeve të reja të punës dhe një pjesë e tyre pritet të vijnë pikërisht nga një zhvillim i qëndrueshëm i turizmit. /a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit