Transmetuar më 27-09-2013, 12:45

Një vit i mbarë duhet të ketë një fund të lumtur dhe i tillë është ky fund sezoni për Serena Williams, e cila e mbyll atë në shkallën më të lartë të klasifikimit botëror në tenisin për femra.

Amerikania 32-vjeçare e mban të pushtuar vendin e parë në renditje që prej Shkurtit të këtij viti dhe performancat e saj fantastike nuk kanë lejuar asnjë rivale që ta rrëzojë nga froni.

Serena ka arkivuar deri tani një rekord mjaft pozitiv, 67 fitore kundrejt 4 humbjeve dhe ka fituar 9 tituj në WTA Tour, përfshirë këtu trofetë në French Open dhe US Open.

Edhe nga ana financiare ky vit ka qënë plot të ardhura për motrën e Venus me plot 9 milionë Dollarë vetëm nga titujt e fituar.

Me shumë elozhe për Serenën foli Stacey Allaster, shefja ekzekutive e Federatës së Tenisit për Femra, citon Supersport.

“Serena ka treguar kohë pas kohe gjatë gjithë karrierës së saj se është një kampione e jashtëzakonshme, si në fushë ashtu edhe jashtë saj”. Për Serena Williams kjo nuk është hera e parë që mban mbi shpatulla titullin e raketës më të mirë në botë.

Ajo ka qënë edhe 5 herë të tjera numri një i botës, por vetëm 3 herë ka arritur ta mbyllë sezonin si më e mira ndër të gjitha tenistet femra.

Amerikania, e cila në të gjithë karrierën ka fituar 55 tituj e vetme dhe 22 të tjerë në turnetë çift, do të marrë në duar trofeun e numrit një në WTA Championships në Stamboll, që zhvillohet në Tetor

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit