Transmetuar më 27-09-2013, 11:52

Nju Jork, 27 shtator 2013, NOA -Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, u takua në Nju Jork me Zëvendës Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të shtetit të Kuvajtit, Sheik Sabah Khaled Al Sabah. Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se të dy homologët shkëmbyen urimin për zgjedhjet e fundit në të dy vendet dhe shprehën mbështetjen reciproke për kandidaturat në organizmat e OKB-së. Ministri Bushati falenderoi Ministrin kuvajtjan për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në projekte të rëndësishme të financuara nga vendi i tij si dhe shprehu vlerësimin për njohjen e mbështetjen ndaj shtetit të Kosovës nga Kuvajti. Të dy palët shprehën angazhimin dhe vullnetin politik për të zbatuar projektet dypalëshe të mbështetura nga Kuvajti në sektorë të rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Ministri kuvajtjan shprehu dëshirën e bizneseve kuvajtjane për të qenë prezent në sektorin publik në Shqipëri si dhe për të mbështetur projektet në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe infrastrukturës. Ministri Sheik Sabah Khaled Al Sabah ftoi Ministrin Bushati për një vizitë zyrtare në Kuvajt. Në kuadër të sesionit të 68-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, u takua në Nju Jork edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Katarit, Dr. Khalid Bin Mohammad Al Attiyah. Ministri Bushati falenderoi Ministrin e Katarit për angazhimin dhe kontributin që ka dhënë vendi i tij në projektet infrastrukturore në Shqipëri. Gjithashtu, falenderoi autoritetet e Katarit për njohjen dhe mbështetjen që kanë dhënë për shtetin e Kosovës. Të dy ministrat shprehen vullnetin për të thelluar bashkëpunimin në fushën ekonomike dhe infrastrukturore. Në fund të takimit, ministri Bushati e ftoi Ministrin e Katarit për një vizitë zyrtare në Tiranë.

noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit