Transmetuar më 27-09-2013, 11:22

Deri vjet ekzistonte një tavan ligjor i borxhit publik në Shqipëri – 60% e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB). Mazhoranca e shkuar e hoqi këtë tavan dhe borxhi mund të rritet pa iu përplasur koka ligjërisht në ndonjë tavan. Kur ishte dje në opozitë, mazhoranca e sotme e kritikoi ashpër heqjen e tavanit të borxhit dhe të njëjtën gjë bënë edhe FMN-ja e Banka Botërore. Tani mbetet të shihet nëse ky tavan do të rivendoset ose nëse një tjetër lloj tavani do të ndërtohet – tavani i shpenzimeve.

Nga Eduad Zaloshnja

Tavani i borxhit, në formën që ishte (si përqindje e PBB-së) ka një problem – si numëruesi edhe emëruesi i tij nuk janë të besueshëm. Raportimet e fundit në media bëjnë fjalë për një borxh të fshehtë, që nuk është pasqyruar në shifrat zyrtare të borxhit publik. Janë fatura të papaguara të qeverisë ndaj kontraktorëve që kanë kryer investime apo furnizime për llogari të enteve shtetërore si dhe ka shuma të mëdha TVSH-je të parimbursuara, të cilat në total kapin shifrën nga 500 milionë deri 700 milionë dollarë. Gjithashtu pasaktësi mund të ketë edhe emëruesi – PBB-ja.

Deri sa të saktësohen shifrat e sakta të numëruesit dhe të emëruesit të thyesës së tavanit të borxhit, nuk do të ketë kuptim të caktohet me ligj një tavan i tillë, le të themi 60% siç ishte, sepse në realitet ai mund të ketë arritur që sot 70%. Dhe zbritja nga 70% në 60% brenda një kohe të shkurtër do të ishte një shtrëngim i skajshëm rripi për qeverinë.

Një tavan tjetër që përdoret nga qeveritë, sidomos të vendeve në zhvillim, është ai i shpenzimeve. Ky lloj tavani përcakton me ligj se sa përqind mund të rriten shpenzimet buxhetore krahasuar me vitin e mëparshëm, bazuar në pritshmëritë afatmesme të vjeljes së të ardhurave. Dhe në qoftë se të ardhurat i tejkalojnë pritshmëritë, tepricat kalojnë për të shlyer borxhin e akumuluar në vite.

Vendosja e një tavani të tillë do të ishte më e matur në një periudhë afatmesme, deri sa të saktësohet mirë si madhësia reale e borxhit publik edhe e PBB-së. Me saktësimin e tyre dhe me kalimin, me shpresë, të periudhës së vështirë ekonomike që po kalon vendi dhe rajoni, mund të kalohet pas disa vjetësh nga tavani ligjor i shpenzimeve në atë të borxhit.

Por shtëpia buxhetore mund të lihet edhe pa tavan, siç e la qeveria që iku. Sidoqoftë, nuk duhet harruar se borxhi i ri që është shtuar në periudhën janar-shtator nuk mjafton as për të shlyer interesat vjetore të borxhit të vjetër. Ndërsa vitin tjetër, sipas parashikimeve afatmesme të Ministrisë së Financave, borxhi ri që do të shtohet nuk mbulon dot as 80% të 600 milionë dollarëve interesa, që duhen paguar për borxhin e akumuluar deri më sot…

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit