

Tiranë, 25 shtator 2013, NOA – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka bërë thirrje sot partive politike që të bëjnë propozimet e komisionerëve për zgjedhjet që do të mbahen për kreun e ri të Bashkisë së Korçës.
“KQZ pas përcaktimit të disa afateve proceduriale që lidhen me zhvillimin e këtyre zgjedhjeve, ju bën thirrje partive politike që ju lind e drejta për të pasur anëtarë në Komisionin e Zonës së Administrimit Zgjedhor (KZAZ) nr.71, si dhe në respektim të afateve kohore të parashikuara në vendimin e KQZ-së, të dërgojnë menjëherë propozimet e tyre për anëtarë të këtij niveli komisionerësh, në mënyrë që KQZ të kryejë procedurën e emërimit të tyre, për të vazhduar më tej konstituimin dhe funksionimin e vetë KZAZ-së nr.71, Bashkia Korçë”,- tha sot në një deklaratë për mediat zëdhënësja e KQZ, Drilona Hoxhaj.
Ajo bëri të ditur se pas dekretimit të datës së zgjedhjeve nga kreu i shtetit, KQZ filluar menjëherë nga puna për marrjen e masave për ngritjen e infrastrukturës zgjedhore dhe sigurimin e bazës logjistike, për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve më datën 3 nëntor.
“Kryesisht si bazë logjistike zgjedhore për këto zgjedhje do të përdoret për aq sa është e mundur, baza logjistike e disponueshme nga zgjedhjet e datës 23 qershor 2013 dhe datës 1 shtator 2013”,- tha Hoxhaj.
Ajo u shpreh se KQZ do të bëjë të gjitha përgatitjet e duhura për ngritjen e infrastrukturës zgjedhore në funksion të zhvillimit korrekt dhe ligjor të procesit në çdo fazë të kalimit të tij.
a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





