

Tiranë, 24 shtator 2013, NOA.al- Gjatë ditës së sotme u zhvillua Forumi Ndërkombëtar “Tregu i Kapitaleve në Shqipëri & rajon dhe Modeli i Zhvillimit” si ngjarja e parë e këtij lloji të zhvilluar në Shqipëri.
Të pranishëm ishin përfaqësues të larte të ekzekutivit, institucioneve financiare të vendit dhe ndërkombëtare, biznesit, akademikë, etj.
Mungesa e tregut të kapitaleve si një nga 2 shtyllat e tregut financiar ka sjellë lënien e sistemit financiar të vendit nën monopolin e sistemit bankar, me pasoja të rënda për biznesin dhe qytetaret.
Konfindustria e cila informon për aktivitetin thekson se, rënia pothuaj në nivelin zero të rritjes së kredisë është pasojë edhe e gjendjes së mësipërme. Nga të pranishmit u vu në dukje domosdoshmëria e aktivizimit të Bursës së Tiranës me qëllim dhënien e mundësisë qytetarëve dhe biznesit të kenë një mundësi tjetër për të investuar me efektivitet kursimet e tyre. Aktivizimi i Tregut të kapitaleve është mënyra më e mirë për të luftuar korrupsionin në proceset e privatizimit dhe njëkohësisht për thithjen e financimeve të nevojshme për projekte dhe kompani publike, që sot rëndojnë në buxhetin e shtetit.
Përfaqësues të biznesit ofruan bashkëpunim me institucionet shtetërore per aktivizimin e Bursës se Tiranes. Tashmë janë një grup kompanish private të gatshme të përmbushin kushtet për listim në Bursë dhe njëkohësisht u kërkua që gjithashtu kompani dhe projekte me kapital publik të ristrukturohen për tu listuar në Bursë.
Më tej u theksua, se me zbatimin e politikës së taksave të ulëta është rritur ndjeshëm në vitet e fundit shkalla e rregullsisë dhe tejdukshmerisë së bilanceve financiare të kompanive vendore kushte parësore për tu listuar në bursë sipas standardeve ndërkombëtare.
Në forum nga përfaqësues të Bursës së Stambollit dhe të bursave rajonale u theksua, se është shumë i rëndësishëm aktivizimi i Bursës së Tiranës parë potencialin ekonomik dhe financiar të Shqipërisë dhe të mbi 15 milionë shqiptarë kudo ndodhen. Presidenti i Bursës së Stambollit shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me të gjitha mënyrat me Bursën e Tiranës me qëllim për ta bërë pjesë të rrjetit botëror të tregut të kapitaleve.
Përfaqësuesit e ekzekutivit u shprehën se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me biznesin dhe institucionet financiare si dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme institucionale dhe ligjore për vënien në punë në një kohë sa më të shpejtë të Bursës së Tiranës. /a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





