Transmetuar më 24-09-2013, 13:29

Atëherë, në këto kushte reale të mungesës së menaxhereve të vërtetë shëndetësorë, natyrshëm shtrohet pyetja: Cila duhet të jetë për ne zgjidhja më e mirë aktuale, qoftë dhe e përkohshme, së paku për drejtuesin kryesor? Realisht dhe për këtë pyetje, për këtë variant të tretë, eksperienca e përparuar e ka një përgjigje…

Nga Tritan Shehu

Të drejtosh institucionet shëndetësore sot është një detyrë tejet e vështirë, komplekse dhe që kërkon një profesionalizëm të thellë. Këtu nuk e kam fjalën për ato pak pozicione të larta politike në nivel vendi, të cilat pa dyshim duhet të kenë vizionet e njohuritë e përgjithshme të zhvillimit të këtij sistemi, por dua të përqendrohem te nivelet pjesërisht politike e ato teknike, qendrore apo periferike. Më konkretisht, do të desha të shkruaja kryesisht për drejtuesit kryesorë në nivel institucionesh të mëdha shëndetësore publike.

Shqipëria, që nga vendosja e demokracisë hyri në zhvillimin e saj të ekonomisë së tregut, në të gjithë sektorët. Ky ndryshim thelbësor zhvillimi preku të gjithë jetën e vendit. Këtu përfshihet dhe sistemi ynë shëndetësor. Pjesë të mëdha të tij, si stomatologjia, farmaceutika që në 1992-shin u transformuan rrënjësisht dhe me sukses, duke u shoqëruar që atëherë me krijimin e sistemit të sigurimeve shëndetësore. Lindën kështu sektorët e mëdhenj privatë shëndetësorë, që shumë shpejt u shtrinë dhe në diagnostikë e mjekim. Sektorë të tjerë të tij, si ai parësor, iu nënshtruan një decentralizimi të thellë e të domosdoshëm. Po kështu u krijuan mbi koncepte të reja autonomie qendra të mëdha spitalore publike, në Tiranë e rajone, pavarësisht se më tej ritmet e ecurisë së sistemit spitalor në tërësi drejt formave reale të ekonomisë së tregut ishin të pakënaqshme. Megjithatë, në fund të fundit, nuk mund të ketë zhvillim tjetër edhe për shëndetësinë, në një vend që dominohet nga kjo formë e përgjithshme ekonomike zhvillimi. Pa dyshim në këtë rast kjo bëhet duke “respektuar” specifikat e thella të këtij sektori, politikat sociale, mënyrat komplekse të financimit e realizimit të “prodhimit” të asaj vlere publike, që me një term ekonomik quhet “mall”, por që është një “mall” i veçantë e me kushte të veçanta. Sidoqoftë, edhe sistemi shëndetësor publik a privat, tashmë financohet, “prodhon shëndet”, shet produktin e tij dhe duhet t’i nënshtrohet në shumicë rregullave e risqeve të tregut. Ndryshe do të krijonte vetëm deficite e do të bënte kolaps.

Në këto kushte, për ta zhvilluar e drejtuar këtë sektor, që dokumentet fillestare të Parlamentit Europian e kanë cilësuar si “më kompleksin, më të elaboruarin që mendja njerëzore ka krijuar”, ka nevojë për burime njerëzore të kualifikuara, të cilat të mund të drejtojnë sot me profesionalizëm këtë mekanizëm kaq të vështirë në të gjitha nivelet e tij. Në këtë kontekst, është e vërtetë, që drejtimi qendror politik nuk mund e nuk duhet të realizojë menaxhimin konkret e direkt të institucioneve shëndetësore publike. Ai bën politikat, organizon kontrollin, përcakton indekset e kostos, standardet, mekanizmat e linjat e përgjithshme të zhvillimit, kolaudon ecjen etj. Por, nga ana tjetër, ai duhet të përcaktojë dhe “tiparet” formative të drejtuesve kryesorë, teknikë apo pjesërisht politikë qofshin ata, që do të veprojnë në nivelet menaxheriale publike. Në fakt, kjo është një nga funksionet e niveleve politike. Përzgjedhjen e tyre si person, mbi këtë bazë, duhet ta realizojë më tej veçse bordi i institucionit. Kjo kryhet sot te neve vetëm në disa institucione. E ritheksoj se përcaktimi i kritereve ka rëndësi vendimtare. Pa përsosur profesionalisht atë nivel drejtimi “teknik”, veçanërisht të institucioneve të mëdha shëndetësore, si spitalet, sistemet parësore të unifikuara etj. nuk mund të ketë sukses.

Për këto arsye, prej dekadash është hapur një debat në vendet e zhvilluara, se çfarë rekuizitash duhet të kenë drejtuesit kryesorë të institucioneve të mëdha shëndetësore. Nuk ka asnjë dyshim që politikat drejtuese në ato nivele duhet të jenë një amalgamë njohurish shëndetësore, specifike financiare sektoriale, ekonomike, menaxheriale, mjekësore, sociale, etike etj. Prandaj dhe drejtimi i të tilla institucioneve sot është tejet kompleks dhe realizohet nga grupe njerëzish: drejtor i përgjithshëm, drejtor sanitar, drejtor ekonomik, borde, këshilla të ndryshme, drejtues shërbimesh mjekësore, kryemjek, kryeinfermiere etj. Por, sidoqoftë, në fund të fundit ka një drejtor të përgjithshëm, shumë i rëndësishëm ky, që mund të quhet edhe me emra të ngjashëm. Ndërsa për pozicionet e tjera drejtuese përgjithësisht ka një vazhdimësi kriteresh përzgjedhjeje, së paku për sa i takon profesionit bazë, për këtë pozicion kryesor ka pasur opinione e qëndrime të ndryshme, kudo në botë, të lidhura këto dhe me evolucionin e sistemit shëndetësor, kapaciteteve profesionale e koncepteve të drejtimit të tij. Të tilla ndryshime kriteresh kemi hasur dhe në vendin tonë në vite, disa herë të argumentuara, disa herë nga një mungesë orientimi, disa herë për shkaqe të tjera, por që jo gjithmonë i kanë shërbyer zhvillimit linear sektorial.

Për të qenë më i qartë dhe direkt, dua të them se sot nga shumica e autorëve pranohet se në përgjithësi drejtuesi kryesor më i përshtatshëm i institucioneve shëndetësore, p.sh. drejtori i përgjithshëm i një spitali, duhet të jetë një specialist i aftë që është diplomuar në mjekësi dhe më tej ka studiuar dhe është diplomuar specifikisht edhe për menaxhim shëndetësor. Problemi me këtë variant qëndron në faktin e thjeshtë se numri i atyre që përfundojnë me rezultate të larta studimet në mjekësi, në tërësi aspirojnë të specializohen në fusha të specialitetit e jo në fusha menaxheriale. Aq më tepër kjo është më e vështirë për një specialist të afirmuar mjekësor.

Në këto kondita, si variant i dytë më i pranueshëm, është  ai që specialistë të aftë, kryesisht të fushave ekonomike e financiare, apo dhe juridike, pasi të përfundojnë më tej cikle të plota studimi universitar në fushën e menaxhimit shëndetësor, të pranohen si kandidatura për drejtuesin kryesor të strukturave të mëdha shëndetësore. Po kështu dhe shumë nga drejtuesit e tjerë jo-mjekësorë të tyre, e kanë të domosdoshëm një nivel të tillë shkollimi. Faktikisht, shumica e drejtorëve të përgjithshëm sot në botën perëndimore janë të tillë, por gjithmonë pasi të kenë fituar një diplomë të plotë menaxheriale shëndetësore.

Fatkeqësisht, kapacitet tona njerëzore, me përjashtime të vogla, akoma nuk mund të kënaqin këto dy variantet e para. Ne vetëm tani po krijojmë të tillë specialistë nga ciklet tona universitare të menaxhimit shëndetësor. Në realitet, kjo nuk është e lehtë, për vetë mungesën e kapaciteteve tona didaktike në këtë fushë, eksperiencën e pakët etj. Sidoqoftë, tashmë kjo është një nevojë absolute për t’u zgjidhur përfundimisht e më cilësi, sepse shumë nga nivelet drejtuese të institucioneve tona shëndetësore e kanë të domosdoshme një nivel të tillë edukimi. Atëherë, në këto kushte reale të mungesës së menaxhereve të vërtetë shëndetësorë, natyrshëm shtrohet pyetja: Cila duhet të jetë për ne zgjidhja më e mirë aktuale, qoftë dhe e përkohshme, së paku për drejtuesin kryesor? Realisht dhe për këtë pyetje, për këtë variant të tretë, eksperienca e përparuar e ka një përgjigje: Në të tilla situata zgjidhja më e mirë është që drejtuesi kryesor i institucionit shëndetësor të jetë një personalitet i një specialiteti mjekësor, me eksperiencë në drejtimin e shërbimeve të tilla, duke i vendosur atij në krah një ekonomist të aftë, p.sh. në rolin e drejtorit administrativ apo ekonomik. Pa dyshim, kjo nuk është zgjidhja ideale, por është më e pranueshmja në kushtet e mungesës së menaxherëve shëndetësorë të mirëfilltë. Për hir të së vërtetës, dua të theksoj se këtë konkluzion ne akoma nuk e kemi nxënë, apo nuk duam ta nxëmë ashtu si duhet. Në lidhje me këtë pikë ne shpesh kemi improvizuar dhe vazhdojmë të improvizojmë, duke krijuar pasoja negative në mbarëvajtjen e institucioneve tona shëndetësore.

Unë respektoj gjithsecilin në profesionin e tij, por e konsideroj jo dobiprurës faktin që dikush, që mund të jetë një ekonomist shumë i mirë, p.sh. në sektorin e hekurudhave, të bujqësisë, një drejtues i aftë i administratës etj., por pa asnjë titull studimi në menaxhimin shëndetësor, në një ditë të caktohet si drejtori kryesor i një institucioni të rëndësishëm shëndetësor. Për mendimin tim, kjo praktikë jo vetëm që dëmton mbarëvajtjen e atyre institucioneve shëndetësore, por krijon dhe një tjetër pasojë negative perspektive. Minimizon interesin, qoftë të mjekëve, qoftë të personelit shëndetësor në përgjithësi, qoftë të ekonomistëve apo dhe të juristëve për të studiuar e për t’u diplomuar në fushën e menaxhimit shëndetësor. Drejtimi i një institucioni shëndetësor është diçka krejt ndryshe nga drejtimi i një institucioni ekonomik, administrativ apo prodhues të mirëfilltë, prandaj kjo kërkon të tjera kritere në përzgjedhjen e stafit administrativ drejtues, inkluziv kjo për pozicionin më të rëndësishëm të tij.

Në konkluzion të këtij shkrimi dëshiroj të theksoj se zhvillimi i vendit në drejtim të ekonomisë së tregut, kompleksiteti i sistemit shëndetësor, veçanërisht në këtë stad të ri detyrash e objektivash, na imponon ne domosdoshmërinë e respektimit të disa kritereve tashmë të vendosura qartë nga ata, të cilët i kanë kaluar para nesh këto faza zhvillimi. Unë do të thosha se improvizimet janë veçse dëmtuese e ngadalësuese në ritmet e përsosjes. Përballë ne kemi një eksperiencë të pasur vendesh të zhvilluara. Fatmirësisht, tashmë kemi në vendin tonë edhe eksperiencën pozitive të institucioneve të mëdha shëndetësore private. Këta nuk bëjnë gabime të këtij lloji dhe realisht janë shumë më racionalë në këto përzgjedhje. Pra, duhet të dimë të përfitojmë nga këto mundësi referimi edhe në përcaktimin e rekuizitave të domosdoshme, për ata që drejtojnë institucionet tona të mëdha shëndetësore publike, duke filluar që nga “violina e parë” e tyre, drejtuesi kryesor.

(Panorama)

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit