Transmetuar më 23-09-2013, 11:58

Vrasja e 19 shtatorit 2013, në Ballaban të Zveçanit, do të duhej t’i kishte pikërisht ato efekte që i pati vrasja e policit tëUNMIK-ut, më 17 mars, 2008, në Mitrovicën Veriore. Vrasja e doganierit të EULEX-it, këtë të enjte, më 19 shtator, ishte e paramenduar politikisht, e planifikuar në aspektin organizativ, e ekzekutuar prej profesionistëve, dhe kishte një synim fare të qartë strategjik.

Nga Blerim Shala

Caku kryesor i këtij sulmi ishte vrasja, e jo frikësimi i atyre që u gjendën në një veturë të EULEX-it që nuk ishte e blinduar (nuk ka dyshim që autorit e krimit e kanë ditur këtë fakt), dhe që ecte me orar të rëndomtë ditor, udhës për në Portën 1 (Jarinjë), në kufirin në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Çfarë ndodhi pra në Ballaban, afër Zveçanit, nuk ishte reagim emocional i dikujt në turmë (siç u prezentua parvjet sulmi ndaj KFOR-it, gjatë intervenimit ndaj demonstratave të dhunshme), nuk ishte as kundërveprim i atyre që i përgjigjen me armë e me forcë EULEX-it për ndonjë aksion të Misionit të sundimit të ligjit në Kosovë.

Ishte ky një akt i qartë kriminal, me një mësymje të prerë politike.

Vrasja e 19 shtatorit mbi të gjitha, në fakt është një Komunikatë Politike. Konteksti i këtij sulmi nuk ka si të mos merret parasysh, si dhe supozimi që sulmi i tillë është përgatitë qëmoti, tok me vendin e pritës (i cili ishte shumë i mirë për vrasësit), dhe që është pritë vetëm momenti i bërjes së këtij sulmi. Vrasja e doganierit të EULEX-it ndodh thuaja menjëherë pas dy ngjarjeve kyç sa i përket procesit të zbatimit të Marrëveshjes së 19 prillit në Bruksel.

E para përkon me certifikimin, nga ana e KQZ-së, të pjesëmarrësve në zgjedhje lokale të 3 nëntorit. Mbi 30% të subjekteve partiake dhe nismave qytetare që do të kërkojnë votën e qytetarëve të Kosovës, në gjithë territorin e saj (për të parën herë që prej shpalljes së shtetit të Kosovës, në shkurtin e vitit 2008), vijnë nga komuniteti serb. Është ky një numër që njëkohësisht dëshmon interesimin e shtuar tej mase të politikanëve serbë të Kosovës për të qenë pjesë e garës demokratike, dhe pamundësinë e Beogradit zyrtar për ta thjeshtësuar këtë garë me prezantimin e një Liste të vetme unike për zgjedhjet e 3 nëntorit.

Ngjarja e dytë lidhet me nënshkrimin nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, të Ligjit të Amnistisë, i cili së shpejti do të hyjë në fuqi. Me fuqizimin e Ligjit për Amnisti, humbin peshën argumentet e deritashme të Beogradit zyrtar të cilat përdoreshin për të arsyetuar vonesat dhe zvarritjet në procesin e integrimit të policëve dhe të gjykatësve serbë në Rendin dhe Ligjin e Kosovës.

Me certifikimin e bërë nga KQZ-ja, hapet rruga për organizimin e zgjedhjeve në të dielën e parë të nëntorit.

Nuk do mend që në ndërkohë, apo edhe tash e tutje, do të ketë pengesa të nduarnduarta si në përgatitjen e zgjedhjeve të 3 nëntorit, ashtu edhe në inkuadrimin e policëve dhe gjykatësve serbë në sistemin e Kosovës. Megjithatë, vendimet kyç janë marrë ditëve të shkuara.

Nuk e dimë akoma sa është kuptuar ndër ne ky fakt, por po shihet që ai është marrë si i tillë, si tej mase valid, në qarqet e urdhërdhënësve të sulmit të mëngjesit të 19 shtatorit.

Me këtë sulm, i cili me siguri që është vetëm i pari në radhë (ata që janë prapa tij nuk e kanë bërë këtë veprim vetëm për një përdorim), synohet që të bllokohet në tërësi implementimi i Marrëveshjes së 19 prillit, veçmas në segmentin e mbajtjes së zgjedhjeve të lira edhe në këtë pjesë të Kosovës.

EULEX-i do të duhej të zmbrapsej në tërësi nga Veriu, do të duhej të parandalohej krijimi i një policie të vetme në Veri të Kosovës dhe të një gjyqësia që i subordinohen autoriteteve të Prishtinës, popullata lokale, me shumicë serbe, do të duhej të frikësohej në palcë për të votuar me 3 nëntor, më në fund, do të mund të provokoheshin incidente të rënda etnike në vijat edhe ashtu problematike.

Apo, thënë ndryshe, vrasja e 19 shtatorit, 2013, në Ballaban të Zveçanit, do të duhej t’i kishte pikërisht ato efekte që i pati vrasja e policit të UNMIK-ut, me 17 mars, 2008, në Mitrovicën Veriore, afër Gjykatës së Qarkut.

Ngjarja e rëndë e 17 marsit, 2008, me autorë shumë mirë të njohur për të gjithë, bëri që Veriu i Kosovës të ‘vuloset’ si një ‘konflikt i ngrirë’, apo që të hiqet dorë nga synimi për integrimin e kësaj pjese të Kosovës. Një tjetër vrasje, e Enver Zymberit, oficerit të Policisë së Kosovës, më 26 korrik, 2011, do ta shënojë rikthimin e temës së integrimit të Veriut, e cila është kryefjala e bisedimeve politike në mes të autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë, të nisura në tetorin e vitit të shkuar. Tani, vrasja e 19 shtatorit do të duhej ta kthente Kosovën mbrapa, tek marsi i vitit 2008.

Natyrisht, konteksti i vjeshtës së këtij viti dallon shumë nga pranvera e vitit 2008.

Ngjarja e rëndë e kësaj të enjte, i ka bërë bashkë, në gjykimin dhe dënimin e saj Prishtinën zyrtare, Beogradin zyrtar, Perëndimin. Por ky zë i unifikuar politik do të jetë efektiv vetëm nëse brenda një periudhe të shkurtër kohore gjenden akterët dhe autorët e mirëfilltë (urdhërdhënësit), e këtij krimi. Nuk ka asnjë arsye të vetme të mos ndodhë një gjë e tillë, sepse autoritetet e Serbisë janë të obliguara, dhe pastaj, do të duhej të ishin edhe të interesuar, që të ndodhë zbardhja e vrasjes sa më parë.

Në anën tjetër, ky flijim i ri në trajtë të jetës së një të riu, do të duhej të shërbente si këmbanë alarmi për autoritetet vendore dhe ndërkombëtare në Prishtinë, që të krijojnë rrethana shumë më të volitshme të sigurisë në Veri të Kosovës. Ndryshe, do të jetë shumë vështirë të organizohen zgjedhjet lokale më 3 nëntor në këtë pjesë të Kosovës.

*Autori është Nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit