Transmetuar më 23-09-2013, 09:16

Boston (SHBA) 23 shtator 2013, NOA – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zhvilloi një takim dhe me komunitetin shqiptar që jeton në Boston.

Në fjalën përshëndetëse, Kreu i Shtetit vlerësoi rolin e shqiptarëve të SHBA dhe veçanërisht të diasporës në Boston, në të gjitha ngjarjet me përmasa historike për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. “Shqiptarët, të bashkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe shqiptarët në Boston si një nga pjesët më aktive e saj, kanë qenë bashkudhëtarë në udhëtimin historik të Shqipërisë dhe të pranishëm në momentet kulmore të historisë sonë”,- tha Nishani.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti Nishani i kushtoi rëndësi bashkëjetesës dhe harmonisë fetare, si edhe ruajtjes dhe trashëgimit të gjuhës, kulturës, traditave dhe virtyteve kombëtare te brezat e rinj, në SHBA.

“Shqiptarët janë një komb i vogël, por me kulturë të madhe dhe virtyte të rralla që vijnë të trashëguara brez pas brezi nga lashtësia. Harmonia fetare, pranimi i tjetrit ndryshe, madje sakrifica për t’u gjendur pranë edhe në momente të vështira, gjuha dhe kultura jonë bëjnë të ndjehet krenar çdo shqiptar dhe unë dua t`ju shpreh mirënjohjen time të thellë që ju keni mundur t`i ruani me fanatizëm dhe t`i përcillni ato te të rinjtë”,- u shpreh Presidenti Nishani.

a.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit