Transmetuar më 22-09-2013, 13:51

Tiranë, 22 shtator, NOA –  Shkodra, Pogradeci dhe Elbasani, janë tre qytete të reja, përveç Tiranës, ku policia ka realizuar së fundmi bllokimin e disa objekteve që po ndërtoheshin pa leje.

Kjo bëhet me dije nga burime të Policisë së Shtetit për agjencinë e Lajmeve NOA, duke shtuar se ky aksion është shoqëruar në të njëjtën kohë edhe me procedimin e 11 personave të përfshirë në këto ndërtime abuzive, ndër të cilët dhe një inspektor ndërtimi në komunë.

Konkretisht, në Shkodër, mësohet ka filluar procedimin penal në gjendje të lirë për 37-vjeçarin Fatbardh M., me detyrë inspektor ndërtimi në komunën e Velipojës. Ai akuzohet se përmes shpërdorimit të detyrës, nuk ka zbatuar ligjin nr.9780, të datës 16.07.2007, për ndërtimet pa leje.

Ndërkohë, që ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë edhe për 53-vjeçarin Sait F., i cili në bregdetin e Velipojës, ka ndërtuar një pallat me 5 kate, pa patur lejen përkatëse.

Sakaq, nga Policia e Pogradecit, saktësohet se gjatë ditës së djeshme janë proceduar 7 persona për ndërtime të paligjshme, duke i bllokuar ato. Ata janë përkatësisht:

-Virxhil M., 49 vjeç, i cili ka ndërtuar një objekt pa leje në Tushemisht.

– Dashnor L., 38 vjeç, i cili ka ndërtuar një objekt pa leje në Buçimas.

– Dëfrim M., 33 vjeç, i cili ka ndërtuar gjithashtu një objekt pa leje në fshatin Buçimas.

– Agim S., 46 vjeç, i cili ka ndërtuar një objekt pa leje në fshatin Çerravë.

– Andrea I., 36 vjeç, i cili ka ndërtuar gjithashtu një objekt pa leje në fshatin Çerravë.

– Spiro I., 66 vjeç, edhe ky me një objekt pa leje në fshatin Çerravë.

– Shpëtim M., po ashtu me një objekt pa leje në fshatin Çerravë.

Për të përfunduar me Elbasanin, ku mësohet se është proceduar dhe po ndiqet në gjendje të lirë 34-vjeçari Fatmir L., konstatuar duke ndërtuar gjatë ditës së djeshme në banesën e tij një ballkon, pa lejen përkatëse. /e.t/noal.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit