

Tiranë, 21 shtator 2013, NOA.al- Ndërsa Presidenti Bujar Nishani, u nis sot për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po në SHBA ka shkuar edhe Kryeministri i ri Edi Rama, por në dy delegacione më vete dhe me axhenda krejt të ndryshme.
Mësohet se Nishani do të marrë pjesë në veprimtarinë “Clinton Global Initiative 2013” (Nisma Globale Klinton 2013), që do të zhvillohet në Nju Jork, në datat 23-26 shtator 2013.
Presidenti Nishani është i ftuar në këtë veprimtari nga ish-Presidenti i SHBA, Bill Klinton.
Vizita në SHBA e Kreut të Shtetit përfshin edhe disa takime të rëndësishme me organizma dhe përfaqësues të shtetit amerikan si dhe me ata të komunitetit shqiptar në Boston, Detroit dhe Nju Jork.
Sakaq burime zyrtare thanë për Noa.al, se Kryeministri Edi Rama ka nisur një vizitë disa ditore në New York, ku do të marrë pjesë në sesionin e 68- të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe do të mbajë një fjalim në debatin e përgjithshëm të këtij sesioni.
Gjatë vizitës në New York dhe pjesëmarrjes në punimet e Kombeve të Bashkuara, Kryeministri Rama do të zhvillojë një sërë takimesh bilaterale me përfaqësues të shteteve të ndryshme, një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB Ban Ki Moon, si dhe do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama.
Axhenda e Kryeministrit Rama parashikon pjesëmarrjen në aktivitetin "Nisma Globale Clinton" me ftesë të Presidentit Bill Clinton, takimin me Presidentin e Bankës Botërore Jim Yong Kim, ish Kryeministrin britanik Tony Blair dhe mbajtjen e një leksioni në "Forumin e Liderëve Botërorë" në Universitetin e Kolumbias.
Kryeministri Rama do të zhvillojë një seri takimesh me komunitetin shqiptar që jeton në New York, si edhe me Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dhe Dhomën Shqiptaro-Amerikane të Tregtisë.
Në këtë vizitë, Kryeministri do të shoqërohet nga Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati. /a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





