Transmetuar më 21-09-2013, 13:28

Prishtinë, 21 shtator 2013, NOA.al – Shoqata “Thirrjet e Nenave” dhe Familjarët e të Vrarëve dhe të Zhdukurve, kanë kundërshtuar certifikimin e listës “Iniciativa qytetare serbe”. Në një komunikatë të tyre ata kanë përmendur faktin se Gjokica Stanojeviç dhe katër serbë të tjerë konkurrojnë për Asamblenë Komunale të Gjakovës, në zgjedhjet e 3 nëntorit. Sipas reagimit, të njëjtët duhet të ulen në bankën e të akuzuarve për krimet që i kanë bërë në Kosovë e jo të garojnë në zgjedhje të Republikës së Kosovës.

“Stanojeviç dhe vëllai i tij Milani, së bashku me ish kryetarin e Komunës së Gjakovës, Moma Stanojeviç, dhe të gjithë armiqtë e tjerë të Gjakovës, janë persona të padëshirueshëm në Komunën tonë, sepse ata duhet te dënohen për krimet e bëra ndaj popullatës shqiptare”, thuhet në reagim.

Familjarët e personave të pagjetur dhe të vrarë thonë se vazhdimisht janë pre e provokimeve të vizitave të tyre në Gjakovë. Pjesëtarët e shoqatës “Thirrjet e nënave” kishin protestuar disa herë kundër vizitave të zyrtarëve serbë në institucione të ndryshme në Kosovë.

“Njihen për vrasjen e 750 qytetarëve të pafajshëm dhe zhdukjen e 726 qytetarëve të Komunës së Gjakovës. Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-1999, dogjën dhe bën shkrumb e hi mijëra shtëpi dhe çdo gjë që ishte shqiptare.E vetmja ulëse që i përket Gjokica Stanojeviqit dhe te gjithë shkjave që jetuan në Komunën tonë është në bankën e zezë të Gjykatës për Krime Luftë, që të marrin dënimin e merituar e kurrë të mos jenë pjesë përbërëse e Asamblesë së Komunës së Gjakovës”, vazhdon reagimi.

Ata kanë paralajmëruar organizimin për kundërshtim të kësaj Iniciative./t.k/a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit