Transmetuar më 20-09-2013, 15:44

Tiranë, 20 shtator 2013, NOA.al- Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, u ndal sot për një vizitë në familjen e “Dëshmorit të Atdheut” kapiten Feti Vogli në fshatin Baldushk të Tiranës, i cili më datë 20 shkurt 2012 ra në krye të detyrës gjatë kryerjes së misionit paqeruajtës në Kandahar të Afganistanit.

Kjo vizitë është ndër aktivitetet e para që Kodheli ka realizuar pas marrjes së detyrës të Ministres së Mbrojtjes.

Gjatë kësaj vizite ministrja Kodheli shoqërohej nga deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Xhemal Qefalia dhe komandanti i Forcave Tokësore, gjeneralmajor Zyber Dushku. Ministrja e Mbrojtjes Kodheli u prit nga nëna, vëllai dhe motra e “Dëshmorit të Atdheut” kapiten Feti Vogli, si dhe nga të afërm të tjerë të kësaj familje.

Ministrja e Mbrojtjes, duke iu drejtuar familjarëve të kapiten Feti Voglit, theksoi se, “Kam ardhur këtu për të shprehur edhe njëherë jo vetëm ngushëllimet e mia personale, të cilat i kam shprehur edhe kur djali juaj i dashur ra në krye të detyrës, por edhe për të shprehur mbështetjen që do të keni në të ardhmen, si një detyrim i shtetit, por veçanërisht i Ministrisë së Mbrojtjes që unë drejtoj, në respekt dhe në kujtim të veprës së tij heroike”.

Nga ana e familjes, vëllai i dëshmorit, Florenc Vogli, falenderoi ministren Kodheli për vizitën që bëri në familjen e tyre brenda një kohe të shkurtër nga marrja e detyrës si ministre e Mbrojtjes, për vlerësimin që ajo i bëri figurës dhe aktit heroik të Feti Voglit, si dhe për mbështetjen që ajo shprehu në emër të Ministrisë së Mbrojtjes për familjen e tij. /a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit