






Tiranë, 20 shtator 2013, NOA.al- Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati priti në takim ambasadorin italian, Massimo Gaiani.
Gjatë takimit ministri Bushati dhe ambasadori Gaiani diskutuan mbi vizitën në tetor të ministres së Jashtme italiane, zonja Emma Bonino, si homologia e parë që do të vizitojë Tiranën pas zgjedhjeve të 23 qershorit.
Dy bashkëbiseduesit theksuan dhe nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik në rang kombëtar dhe lokal mes dy vendeve.
Në vijim Ditmir Bushati priti sot në takim edhe ambasadorin e Gjermanisë në Shqipëri, Helmut Hoffman.
Ambasadori gjerman informoi ministrin Bushati për situatën parazgjedhore në Gjermani. Ai shprehu garancinë që Gjermania do të vijojë të jetë një mbështetëse e pakursyer e Shqipërisë në rrugën e integrimit të saj në BE. Ministri Bushati shprehu falenderimin mbi kontributin e Gjermanisë në Shqipëri në dy dekada si vendi i parë donator i BE.
Sakaq kreu i diplomacisë shqiptare, po sot takoi ambasadoren e Francës në vendin tonë, Cristine Moro.
Ministri informoi ambasadoren franceze për prioritetet e qeverisë së re mbi politikën e Jashtme si dhe rëndësinë thelbësore të rritjes së ritmit dhe cilësisë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. /a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





