Transmetuar më 19-09-2013, 23:58

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte mbrëmjen e së enjtes i ftuar i gazetarit Blendi Fevziu në “Opinion” në Tv Klan. Ai foli mbi zhvillimet pas kalimit të PD në opozitë dhe garën që e solli në krye të partisë më të madhe të koalicionit opozitar 

A e keni kuptuar se i keni humbur zgjedhjet?

Sigurisht që po. Në këtë studio unë kam dëgjuar shumë analistë për zgjedhjet dhe rezultatin e PD. Kam qenë i përfshirë në një proces gare dhe ku ka qenë nevoja për një analizë për shkaqet subjektive të humbjes. Ne u thamë shqiptarëve se vendi është ruajtur nga recensioni. Pavarësisht prej situatës ekonomike në rajon, falë politikave tona ne ia dolëm të ruanim vendin nga recensioni. Ne kemi pranuar që më 23 qershor triumfoi një platformë tjetër, e cila përbëhej nga një sërë premtimesh. Premtime që ne i cilësojmë utopiste, të rrezikshme dhe populiste dhe mashtruese në raport me votuesit. Por votuesit zgjodhën këtë alternativë që iu premtoi 300 vende pune, heqjen e tvsh për shportën e ushqimeve, shëndetësi falas. një paketë të tillë që ne nuk mund ta bënim sepse këto janë premtime të pambajtshme. Ne morëm për këtë arsye këtë rezultat që do të jetë objekt i një analize të detajuar, që do të nisë me nisjen e procesit të zgjedhjeve në pak javë. PD ka nisur punën për të reflektuar mbi rezultatin dhe për të ndërtuar platformën e saj për të triumfuar. Detyra e opozitës tashmë është e trefishtë. E parë në rend të ditës është të nxjerrë hapur para shqiptarëve axhendën e zhbërjes dhe e vitit zero me të cilën ky kryeministër kërkon të fillojë. Detyra jonë është që t’i tregojmë shqiptarëve se çfarë kërkon të bëjë Rama. Ka një rekord punësh që ne kemi bërë dhe nuk jemi në vitin zero. Ky rekord është sot në shënjestër të sulmeve të mazhorancës, e cila kërkon të rikthejë vitin zero.

Çfarë opozite do të bëni?

Ne nuk do të jemi pengues dhe bllokues për integrimin. Kjo opozitë dha të gjithë kontributin e saj si mazhorancë për marrjen e statusit kandidat. Ne do të votojmë pa asnjë kusht çdo masë që shkon që shkon në drejtim të integrimit evropian të vendit. Ne nuk do të jemi në asnjë moment opozitë bllokuese. E dyta do të jemi një opozitë propozuese, konkrete, moderne, krijuese. Një opozite e cila për çdo fushë të jetës do të ketë alternativën e vet me atë çka i ofrohet shqiptarëve, por do ta bëjmë këtë pasi shqiptarët ka kenë kuptuar me fakte dhe argumente se ajo çfarë kanë zgjedhur nuk është e drejtë. Sigurisht që kjo mazhorancë e ka për detyrë që të mbajë premtimet pasi falë këtyre premtimeve ka ardhur në pushtet. Shqiptarët presin nga opozita që të mos i lenë asnjë minutë paqeje që kjo mazhorancë të mbajë premtimet. Premtime e tyre janë utopike dhe të rrezikshme për Shqipërinë. Madje unë them se nuk ka të keqe që ata të tërhiqen nga premtimeve të tyre, siç kanë filluar të bëjnë. Por këtu prishet kontrata mes qeverisë dhe dinjitetit të njerëzve. Nuk mund të lejojmë që nesër sikundër sot një mazhorancë të vijë me premtime të bujshme por të pambajtshme dhe nesër të bëjë sikur nuk i ka bërë.

Në këtë përballje parlamentare mazhoranca nuk shpalosi atë që duhet të ishte programi i qeverisë, por e ktheu në një gjuhë urrejtje ndaj opozitës. Nuk është normale që Rama të nisë javën e tij të dhëndërimit politik duke sulmuar opozitën. Sulmi i tij nuk ishte gafë politike, pasi është shumë e lehtë ta thuash këtë. Por që në fillim pati një përpjekje për të shkelur opozitën. Ky ishte një moment i rëndë për historinë e parlamentit dhe zoti kryetar i parlamentit e cilësoi shaka, por nuk ishte e tillë. Por PD nuk trembet kollaj, ishte partia që shembi komunizmin. Dhe nuk trembet, por vetëm forcohet dhe mobilizohet. Kjo ka të bëjë me një kulturë demokratikë që nuk pranon më kërcënime ndaj opozitës, pasi mbetet tregues i një frymë urrejtjeje.

Braktisja e seancës ishte reagim apo ishte e projektuar?

Ky diskurs i Ramës pranohet në fushatë zgjedhore dhe jo në fjalimin e parë në parlament, ku duhej të shpjegonte programin. Ndaj kësaj kishte dy zgjidhje. Zgjidhja e parë ishte të bllokohej parlamenti me metoda parlamentarizmi. Ka forma të ndryshme. Ka mënyra të ndryshme bllokimi. Por ne nuk e zgjodhëm këtë. Ne zgjodhëm një akt më të civilizuar. Ne zgjodhëm refuzimin e gjuhës së urrejtjes. Opozita mund të bllokonte seancën. Por ne zgjodhëm të refuzonim gjuhën e urrejtjes që të mos e përsërisë më. Reagimi i grupit parlamentar pati mbështetjen time që në momentin e parë.

Jeni kryetar i pestë i kësaj partie. Megjithëse në PD njihet sikur ka qenë për 23 vjet vetëm Berisha. Cili do jetë roli i Berishës në parti, dhe a ndjeni peshën e tij?

E para ka të bëjë me rolin tim si kryetar i PD-së. Është patjetër një nder për mua, për mbështetjen e madhe që kam marrë. Është së dyti një përgjegjësi e jashtëzakonshme, një përgjegjësi historike të drejtosh një forcë historike dhe është po kështu një vendosmëri një besim i madh i imi për ta udhëhequr këtë forcë politike drejt një horizonti të ri. Kjo parti ka fatin të ketë aktiv kryetarin e saj historik, sikundër dhe të tjerë themelues dhe njerëz me vizion që kanë dhënë gjithçka për këtë forcë. Kam raporte shumë të mira me Berishën. Përsa i përket rolit të Berishës, nuk besoj se e vë dikush në dyshim se Berisha mund të rikandidonte dhe të fitonte në mënyrë të bindshme. Nuk besoj se e vë njeri në dyshim që Berisha ka energji të pashtershme. Pra është një zgjedhje e Berishës që ka të bëjë me orbitën e tij, si lider i opozitës, i kryeministër, si president. Vendimmarrja e tij është vendimmarrje që i shkon kësaj orbite, ai mori vendimin që kishte paralajmëruar që do merrte.

A është ky vendim i përkohshëm apo i përhershëm?

Për këtë besoj se zoti Berisha ka thënë përgjigjen e tij dhe ju e keni tek arkivat tuaja.

Berisha me vendimin e tij nuk përket sërës së liderëve që thonë pas meje kiameti, por i përket sërës së liderëve modernë që thonë pas meje një frymë e re. Çështja është që Sali Berisha mbetet një vlerë e jashtëzakonshme në PD.

Thonë që prania e Berishës, nuk ju jep autonomi për të drejtuar PD?

Këto janë ato kasandrat që iu referuat në fillim. Prania e Berishës mund të thotë se krijohet një lloj ngërçi mes tij dhe meje, por ky ngërç ekziston vetëm në disa mendje. Këto mendje nuk kuptojnë se këto vlera si Berisha janë të paçmueshme dhe nuk përbëjnë ngërç, por frymëzim për të ecur përpara.

Patozi dhe Olldashi thanë se Berisha u përfshi në garën e PD-së. A ishit ju i përzgjedhur i Berishës për kryetar të PD-së?

Absolutisht jo, gara u bë sipas rregullave të PD-së. Berisha nuk u përfshi për asnjë sekondë të vetme në garë. Ai mbajti në mënyrë të plotë paanësi dhe garantoi një proces të drejtë zgjedhor.

A ka një çarje në PD?

Në garë dhe në momente të tilla secili ka ambiciet e veta. Ka pasur një garë normale dhe s’ka si të ketë çarje për asnjë arsye.

Cila do të jetë e ardhmja e konkurrentëve të tu në PD, Olldashi, Patozi, Doda, etj.?

Nuk ka në PD konkurrentë apo kontestues të mij. Ka demokratë që për çështje të ndryshme kanë qëndrime të ndryshme, dhe unë këtë e kam parë tek cdo demokrat.

A ndjeni keqardhje që nuk jeni në sallën e parlamentit?

Mund t’ju them se në momente të veçanta do të doja të isha në sallën e Parlamentit, por jo keqardhje.

Keni një kokë këtu, një te SHQUPI tha Rama, mund të thoni ku është koka e PD-së?

Këto janë diversione të formës që nuk arrijnë të shprehin faktin që kryeministri i ri nuk ka treguar thelbin. Të mos mërzitet fare sepse PD e ka kokën dhe e ka të vendosur, si kokën, duart, trupin dhe këmbët. Por Rama duhet t’i japë llogari shqiptarëve për premtimet e rrezikshme për demokracinë dhe ekonominë. Rama e njeh shumë mirë Lulzim Bashën, ia kam treguar dhe do t’ia tregoj përsëri shumë mirë se kush jam, në rastin më të parë.

A bashkëpunoni me partitë aleate të opozitës?

PD është një parti e vlerave të gjithëpërfshirjes. Ne jemi të hapur për bashkëpunim me faktorët politikë të qendrës dhe qendrës së djathtë.

Me partinë e Bamir Topit?

Është e qartë se PD ka bërë çdo përpjekje për maksimalizimin e votës. Edhe FRD u ftua të jetë pjesë e koalicionit, por zgjodhi të garojë e vetme. PD mbetet e hapur për bashkëpunim me çdo forcë politike të qendrës dhe qendrës së djathtë. Kushti është opozita e fortë që duhet t’i japë kësaj mazhorance.

Çfarë do bëni me premtimet e Ramës, a do t’i çoni në parlament?

Ne i garantojmë Ramës mbështetje me votë për premtimet që nuk i ka sjellë. Ai ka premtuar në fushatë se do të heqë tatimin për 5 ushqime bazë. Premtoi po ashtu: Uljen e TVSH në 6 për qind për energjinë për konsumin familjar në të gjithë Shqipërinë. Tha se do të ulë çmimin e naftës me 35 për qind. Premtoi përgjysmim të TVSH për fara dhe fidane. Brenda 100 ditëve të para tha se do të heqë taksën e biznesit të vogël. Në fushatë ka premtuar statusin e minatorit dhe uljen e moshës së pensionit. Premtoi punësim në çdo institucion për personat me aftësi të kufizuar. Gjithë këto gjëra konkrete me të cilat u paraqit para qytetarëve dhe mori vota, ai i ka hequr nga programi qeverisës që prezantoi në Parlament. Ne do t’i tregojmë qytetarëve që me këto premtime ai u mori votën dhe disa prej këtyre premtimeve janë të rrezikshme. Janë të rrezikshme për demokracinë në vend dhe për ekonominë e Shqipërisë. Mashtrimi nuk tolerohen. Duhet që në çdo shoqëri të ketë pasoja për mashtruesin. Ne nuk mund të lëmë që kjo të trajtohet si një gjë e rëndomtë. Që si dele të pranojmë se politikanët janë mashtruese që marrin votën dhe nuk bëjnë asgjë.

Nëse Rama kalon bilançin e Berishës?

Ne këtë e urojmë. Do të jetë gjë shumë e mirë. Për ne e rëndësishme është mirëqenia e shqiptarëve. Ne jemi gati ta votojmë shëndetësinë falas pa kontribute shtetërore. Ju siguroj se ne do t’i rrimë çekiç mbi kokë për mbajtjen e premtimeve.

Si i keni marrëdhëniet me Ilir Metën?

E kam uruar për zgjedhjen kryetar dhe më ka uruar për zgjedhjen si kryetar.

Si e gjykoni drejtimin e parlamentit nga Meta?

Është herët për të folur. Gjykoj që deri tani roli ka qenë korrekt në përjashtim të momentin kur u mundua të kalonte si shaka kërcënimin më të rëndë që një kryeministër ka drejtuar ndaj opozitës.

A do ta çoni në Gjykatë Kushtetuese vendimin e qeverisë për heqjen e fotos së presidentit?

Ne do të çojmë në Gjykatë Kushtetuese vendimin për heqjen e fotos së presidentit. Pasi ka një shkelje të Kushtetutës. Edhe kryetari i Kuvendit tha se do ta mbajë foton e Presidentit, në respekt të Kushtetutës. Thelbi është se ky ishte një akt që shkon në kundërshtim me frymën. Pra ai reflekton vetëm urrejtjen.

Në 2015 po më thoni që s’do rikandidoni më për Bashkinë e Tiranës?

Unë them t’ia lemë kohës këtë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit