

Prishtinë, 19 shtator 2013, NOA.al – Zyra e Bashkimit Europian, Ambasada Amerikane në Kosovë, Presidenca e Kosovës e shumë institucione të tjera e kanë dënuar sulmin ndaj pjesëtarit të EULEX-it. Shefi i Zyrës së BE-së, Samuel Zbogar, e ka quajtur këtë akt, sulm ndaj Bashkimit Europian, ndërsa ka shtuar se ky rast nuk mund ta pengojë procesin politik në Kosovë.
"Ne vazhdojmë të mbesim të përkushtuar në angazhimin për zbatimin e marrëveshjes së arritur më 19 prill”, ka thënë Zhbogar gjatë një konference të jashtëzakonshme për media.
Ndërkaq, edhe shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt ka dënuar sulmin ndaj pjesëtarit të EULEX-it nga Lituania dhe ka kërkuar nga ata që kanë informacion t’i ndihmojnë EULEX-it.
“Do të rishikojnë sigurinë e pjesëtarëve të EULEX-it dhe nëse ka nevojë do ta shtojmë numrin e pjesëtarëve në veri”, ka shtuar Borchardt
Ndërkaq, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga Borchardt, ka vizituar pjesëtarin e EULEX-it, që u plagos sot paradite në afërsi të Zveçanit.
Jahjaga shprehu ngushëllimet e saj për humbjen e jetës së një pjesëtari të policisë së EULEX-it, ndërkaq pjesëtarit të plagosur i uroi shërim të shpejtë duke ofruar gatishmërinë e institucioneve të Kosovës.
“Do të qëndrojmë bashkë, pranë njëri-tjetrit, që ta kalojmë këtë moment të rëndë”, tha presidentja Jahjaga.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë po ashtu e ka dënuar fuqishëm këtë akt. Përmes një komunikate, ky akt prej ambasadës është cilësuar qyqar, “Sulmi mbi EULEX-in është një sulm mbi BE-në dhe tërë bashkësinë ndërkombëtare. Është një sulm mbi gjithçka për të cilën angazhohemi përfshirë paqen, sigurinë dhe sundimin e ligjit. Nuk ka hapësirë për dhunë, kërcënime dhe frikësim në Kosovën e sotme”.
Në vijim shtohet se, përpjekjet për ta destabilizuar progresin në veri të Kosovës janë të papranueshme.
“Ne i mbështesim plotësisht përpjekjet e autoriteteve që t’i gjejnë autorët e krimit dhe t’i sjellin para drejtësisë. Përpjekjet për ta destabilizuar progresin në veri të Kosovës janë të papranueshme. Ne ju bëjmë thirrje të gjithë individëve që të veprojnë me përgjegjësi dhe të vazhdojnë mbështetjen e tyre për zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit midis Prishtinës dhe Beogradit. Ne ripohojmë përkushtimin tonë në mbështetjen e plotë për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, përfshirë këtu edhe mbajtjen e zgjedhjeve komunale të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse më 3 nëntor në Kosovë”, thuhet më tej në këtë reagim.
Sulmi ndaj pjesëtarëve të EULEX-it ka ndodhur sot në mëngjes në komunën e Zveçanit kundër dy veturave të EULEX-it, i cili rezultoi me vdekjen e një pjesëtari të misionit të EULEX-it./t.k/a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





