

Tiranë, 18 shtator 2013, NOA.al- Gjykata e Apelit ka rrëzuar vendimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës, ku deklaroheshin të pafajshëm të akuzuarit për vrasjen e demonstruesve në protestën e 21 Janarit.
Në vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit u tha se gardisti Agim Llupo dënohet me 3 vite burg për vrasje nga pakujdesia, ndërsa për të njëjtën akuzë u shqiptua dënimi me 1 vit burg për ish-kreun e Gardës, Ndrea Prendi.
Prendi u dënua për vrasjen nga pakujdesia të demonstruesit Faik Myrtaj, dhe Llupo për vrasjen e Ziver Veizit, ndërsa Margarit Kume u shpall i pafajshëm.
Sakaq avokati mbrojtës i të pandehurve, e cilësoi vendimin si të pabazuar në ligj, duke deklaruar se ai do të apelohet, ndërsa për Ndrea Prendin sqaroi se ai e ka kryer dënimin e dhënë, në paraburgim.
Ndërkohë në seancën e ditës së djeshme nga ana e organit të akuzës u theksua se gardistët kanë qëlluar me dashje mbi turmën, duke kapërcyer kompetencat ndërsa kanë qëlluar me plumba të vërtetë. Prokurori i çështjes, Shkëlqim Hajdari kërkoi dënimin me 23 vjet burg për drejtuesin e gardës Ndrea Prendi, si dhe kërkoi 25 vjet burg për gardistin Agim Llupon.
Në protestën e 21 janarit u vranë demonstruesit Ziver Veizi, Faik Myrtajt, Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Vendimi i gjykatës së shkallës së parë në Tiranë i nxori të pafajshëm gardistët për ngjarjen e 21 janarit të viti 2011. /a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





