

Kohë të vështira për Iker Casillas. Numri 1 i Realit të Madridit duket sikur e thyen gjithçka që e prek me dorë.
Kur mendohej se drita në fund të tunelit po afrohej, gardiani kampion bote e gjen veten sërish në telashe pasi duhet të qëndrojë edhe disa ditë në infermieri për shkak të një dëmtimi të lehtë pësuar në minutën e 14-të të transfertës turke.
Ditë më parë Carlo Ancelotti i ndezi dritën jeshile për aktivizimin në Europë dhe Kupën e Spanjës pas një kohe të gjatë në stol, por nuk ishte e thënë që kapiteni të buzëqeshte në mbrëmjen e Bosforit, pasi përplasja me Sergio Ramos, që si për ironi është kandidat për shiritin e kapitenit në kombëtare, e detyroi të fashohej duke e bërë më të hidhur rikthimin pas plot 238 ditëve nën hijen e Diego Lopez.
Sipas buletinit mjekësor të Real Madrid, Casillas nuk ka pësuar frakturë por vetëm një goditje të lehtë dhe rikuperimi i tij i plotë do të kërkojë vetëm pak ditë, citon Supersport.
Një episod tjetër që mund të veçohet nga transferta e “Ali Samiyen” është edhe lënia në stol e sulmuesit uellsian Gareth Bale, i cili nuk ka gjetur ende formën optimale.
Sulmuesi e pranon edhe vetë se shkak për formën e tij është mungesa e përgatitjeve parasezonale.
Por nga ana tjetër, ish bomberi i Tottenhamit nuk duhet ta bëjë gjumin të qetë pasi në krahun e djathtë të sulmit, Angel Di Maria, po lufton për një vend titullari dhe me formën e treguar kundër Galatasaray, lojtari uellsian do ta ketë të vështirë për të bindur teknikun italian.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





