Transmetuar më 18-09-2013, 15:05

Shkup, 18 shtator 2013, NOA.al- Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti priti sot në një takim ambasadorin e Kosovës në Shkup, Ylber Hysa.

Bashkëbiseduesit diskutuan për zhvillimet e fundit midis Kosovës dhe Maqedonisë si dhe për situatën politike në Kosovë dhe Maqedoni, por edhe zhvillimet në rajon dhe integrimet euroatlantike.

Ahmeti dhe Hysa u pajtuan që dy vendet duhet të zhvillojnë marrëdhëniet bilaterale me mirëkuptim dhe ndihmë për njeri tjetrin në të gjitha fushat, si ato ekonomike, por edhe ato politike.

Kryetari Ahmeti theksoi që dialogu permanent midis Kosovës dhe Maqedonisë është preventiva më e mirë për tejkalimin e të gjitha mosmarrëveshjeve eventuale dhe në këtë vazhdë propozoi themelimin e një Komisioni të Përbashkët për ti menaxhuar të gjitha çështjet midis Prishtinës dhe Shkupit që do ta përmirësonte komunikimin dhe bashkëpunimin midis vendeve.

Bashkëbiseduesit u dakorduan që parimi i fqinjësisë së mirë është shumë i rëndësishëm dhe që të dy vendet duhet të bëjnë përpjekje maksimale për afrim midis vete dhe për zbatim të reformave të nevojshme për integrim EuroAtlantik.

Njëkohësisht, nëpërmjet të ambasadorit të Kosovës, Ahmeti uroi Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarët e tjerë për vendimin e djeshëm të Gjykatës në Prishtinë për ti shpallur të pafajshëm dhe për ti liruar nga të gjitha akuzat për krime lufte. “Me këtë vendim, edhe një herë u vërtetua drejtësia e luftës së ushtrive tona çlirimtare”, ka theksuar lideri i BDI-së. /n.p/a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit