

Tiranë, 18 shtator 2013, NOA.al- Policia e Shtetit ka nisur që prej ditës së djeshme një operacion të gjerë për identifikimin e ndërtimeve pa leje, pezullimin e punimeve në to si dhe nisjen e procedurave për ndjekjen penale të kompanive ndërtuese, që kanë shkelur ligjin duke ndërtuar pa leje. Po ashtu janë marrë masa edhe ndaj zyrtarëve, që kanë pasur përgjegjësi direkte në lejimin e këtyre ndërtimeve.
Komisariati i Policisë Nr.1, Tiranë ka filluar procedimin penal në gjendje të lirë për 50 vjeçarin Pëllumb Shpata, sepse në Rrugën “Budi” ka ndërtuar një objekt pa leje.
Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Kol Gjokmarkaj, 50 vjeç, sepse në “Rrugën e Elbasanit”, përballë Fakultetit Ekonomik, ka ndërtuar një objekt 6 katësh pa lejë. Në vijim filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Pavlin Kalusha, 34 vjeç, sepse në “Rrugën e Elbasanit” përballë Fakultetit Ekonomik Tiranë, ka ndërtuar një objekt 6 katësh pa leje.
Komisariati i Policisë Nr. 2, Tiranë filloi procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasit Edmonda Kadri Zaimi, Elton Mehmet Xhaferri e Klodian Xhemal Lita, sepse në Rrugën e Kavajës, në Qendrën e Shërbimit dhe Administrimit të Mjeteve të Transportit, të marrë me qira po bëjnë ndërtime pa leje. Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Fatmir Sinani, 62 vjeç, pronar i një firme ndërtimit, sepse në “Rrugën e Kavajës”, po ndërton një shtesë kati në pallatin në ndërtim, pa lejë.
Ndërsa nga Komisariati i Policisë Nr. 3, Tiranë, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Vasil Çelarin, 55 vjeç sepse në rrugën “Riza Çuka”, i ka pushtuar 400 m², tokë shtetasit Adem Zeku, banues në Tiranë.
Po në kuadër të ndërtimeve pa leje policia e Lezhës nisi procedimin penal ndaj Ermando Jakaj, sepse duke shpërdoruar detyrën, nuk ka paraqitur për shqyrtim në Këshillin e Komunës, dokumentet për t’u pajisur me tokë shtetasi Gjergj Gegë Simoni, banues në Zejmen.
Nga ana e policisë së Fierit, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin me inicialet M.R, 56 vjeç, banues ne Fier, me detyrë kryeinspektor INUV Bashkia Fier, sepse duke shpërdoruar detyrën, ka lejuar të ndërtohet një objekt pa leje në lagjen “29 Nëntori”.
Sakaq nga policia e Sarandës, lidhur me një ndërtim pa leje në fshatin Piqeras nga Themistokli Prifti, iu referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, për punonjësit e administratës Komunës Lukovë. /a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





