

Shkup, 17 shtator 2013, NOA.al- Prokuroria Publike e Shkupit ka komunikuar sot masën e paraburgimit për 20 të akuzuarit për spiunim në favor të shërbimeve të huaja sekrete.
Sipas njoftimit të prokurorisë, 17 janë dërguar në paraburgim, ndërsa tre të tjerë janë në arrati. Aktakuza ndaj tyre ka të bëjë me spiunim, veprime kriminale, mashtrime dhe nënçmime, si dhe dhënien e sekreteve shtetërore.
Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska ka zbardhur sot skemën se si ka funksionuar grupi.
Sipas saj, koka e rrjetit ka qenë Marjan Efremov, i cili ka qenë punonjës i Agjencisë për Kundërzbulim deri në vitin 2009, ndërsa grupi i personave të tjerë kishin ofruar informacione dhe dokumente sekrete, të cilat më pas janë shitur nga Efremov tek shërbimet e huaja sekrete.
Por, ministrja Jankullovska nuk ka zbardhur detaje se cilat janë shërbimet sekrete që kanë blerë dhe siguruar informacionet dhe sekretet shtetërore.
“Dokumentet kanë pasur informata rreth strukturës organizative dhe organizimit të brendshëm të institucioneve të sigurisë dhe të tjerave, të dhëna për gjendjen politike në shtet, të dhëna për gjendjen e sigurisë, zgjedhjet, informata për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në shtet nga aspekti i rreziqeve dhe eskalimeve të eventuale, programe dhe plane për vizita dhe qëndrime tek ne të shërbimeve të huaja sekrete”, theksoi ministrja Jankullovska, duke shtuar se këto materiale i janë dhënë personave të caktuar të shërbimeve të huaja sekrete.
Në mesin e të ndaluarve janë gazetarë, punonjës të shërbimit sekret, punonjës në Armatën e Maqedonisë, shefi i kabinetit të kryetarit të Parlamentit si dhe persona të tjerë. Ata u arrestuan dje gjatë një operacioni të njësiteve speciale të koduar “Spiuni”./n.p/a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





