Transmetuar më 17-09-2013, 13:40

Pas fundjavës së polemikave dhe surprizave, Kategoria superiore do të zbresë menjëherë në fushë, për të luajtur sfidat e javës së tretë.

Vëmendja në këtë mesjavë shkon në Korçë dhe Shkodër, në dy sfidat më të rëndësishme të javës, citon Supersport.

Në Korçë pritet një tjetër mbrëmje Europiane, duke parë që do të përballen kampionët dhe nënkampionët e sezonit të kaluar, që për më tepër dhuruan emocione të mëdha në aventurën e futbollit të verës, në kompeticionet e UEFA-s.

Skënderbeu pavarësisht humbjes në Vlorë ka bërë një nisje të mirë të sezonit, duke fituar Superkupën e Shqipërisë dhe ndeshjen e javës së parë ndaj Besës.

Krejt e kundërta ndodh me Kukësin, që në dy javët e para njeh humbje, aq sa ka shkaktuar zemërim tek tifozët, të cilët reaguan dhunshëm në sfidën e fundjavës ndaj Vllaznisë.

Ky sukses i Shkodranëve risjell entuziazmin tek kuqeblutë të cilët presin në "Loro Borici" Tiranën në derbin e Shqipërisë.

Dy skuadra që në vigjilje të kampionatit kishin probleme të mëdha organizative, vijnë në këtë përballje me entuziazmin e pikëve të fituara.

Jo me më pak rëndësi është sfida e "Niko Dovanës", ku Teuta e pretendimeve të mëdha pret Flamurtarin kryesues, për të parë në fund të 90 minutave se kush prej tyre do të jetë në krye të klasifikimit.

Trajneri Magani kërkon më shumë kohë për të parë një Teutë të bukur në fushë, ndërsa Gjoka shpreson tek rikuperimet e futbollsitëve, edhe pse Lena vuan dëmtimin e marë në sfidën ndaj Skënderbeut.

Pas dy transfertave, ku janë fituar tre pikë, Partizani debuton në shtëpi këtë sezon. Përballë është Bylis, i karikuar pas fitores fundjavën e kaluar ndaj Kastriotit.

Dy skuadra që vijnë nga fundjava me rezultate të kundërta, por që në 90 minutëshin e "Qemal Stafës" kërkojnë më të mirën.

Lushnja rikthehet të luajë në shtëpi dhe shpreson nga faktori fushë për të thyer Laçin, skuadër e cila është treguar shumë agresive në dy javët e para.

Faktorin fushë kërkon të shfrytëzojë edhe Kastrioti për të marë pikën e parë këtë sezon në përballjen me Besën.

Kavajasit mund të jenë në shok psikologjik pas barazimit në sekondat e fundit me Teutën, por koha nuk premton dhe duhet pregatitur më së miri sfida e mesjavës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit