

Tiranë, 17 shtator 2013, NOA- Presidenti i vendit Bujar Nishani ka reaguar sot për vendimin e qeverisë së re, që hoqi foton e kreut të shtetit nga institucionet e vendit dhe vendosi foton e Ismail Qemalit.
Në një konferencë për mediat gjatë takimit të presidentëve të rajonit, Nishani u shpreh se një akt i tillë nuk është serioz. “S’ka ndodhur që një Kryeministër të heqë foton e Presidentit. Nuk ka ndodhur, aq më tepër kur Kryeministri sa fillon punën. Kjo gjë nuk ka ndodhur në asnjë vend”, tha Presidenti.
Nishani ka shtuar se një akt i tillë nuk mund të quhet punë, por është një gjest. Ai tha se pret nga kryeministri i ri që të punoj dhe jo të bëjë gjeste.
“Kjo gjë nuk është serioze, nuk duhet të ndodhë. Heqja e fotos nuk është punë, por është gjest dhe Presidenti pret nga Kryeministri të bëjë punë, jo gjeste”,- tha Nishani.
Në mbledhjen e parë të qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama, u mor vendimi për zëvendësimin e fotos së kreut të shtetit me atë të Ismail Qemalit.
a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





