Transmetuar më 16-09-2013, 19:58

Durrës, 16 shtator 2013, NOA.al- Presidenti Bujar Nishani në kuadër të takimit të 5-të Rajonal të Presidentëve zhvilloi sot një takim me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Duke e uruar Presidenten Jahjaga për arritjet e Kosovës në zhvillimin e demokracisë, konsolidimin e shtetit ligjor dhe procesin e integrimit europian, Presidenti Nishani u shpreh se këto arritje janë në interes jo vetëm të qytetarëve të Kosovës, por dhe të paqes e stabilitetit në rajon.

Kreu i Shtetit nënvizoi se realiteti në Kosovë ka bindur edhe më skeptikët se pavarësia e Kosovës ishte zgjidhje e drejtë dhe pa alternativë.

“Shqipëria dhe Kosova kanë marrëdhënie të veçantë dhe partneritet strategjik për arsye që dihen dhe pavarësisht ngjyrave politike të qeverive në vendet respektive. Shqipëria dhe Kosova kanë një synim të përbashkët, integrimin europian, e në këtë rrugë kanë nevojë për njëri tjetrin”, tha Presidenti Nishani.

Nga ana e saj Presidentja Jahjaga e vlerësoi takimin e presidentëve të rajonit si shumë të rëndësishëm në shërbim të bashkëpunimit dhe axhendës europiane të vendeve tona dhe të rajonit në tërësi, sepse i kanë shërbyer intensifikimit të bashkëpunimit politik, ekonomik e tregtar, e po ashtu realizimit të axhendës së përbashkët europiane.

Presidentja Jahjaga shprehu mjë vlerësim të veçantë, për mbështetjen e Shqipërisë në forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, shtimin e njohjeve dhe ndihmesën në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor.

Të dy presidentët shprehën vullnetin e përbashkët që të nxisin qeveritë përkatëse për ndërtimin e një strategjie të përbashkët të bashkëpunimit ekonomik të fokusuar në infrastrukturë, turizëm, energji, bujqësi etj. /a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit