Transmetuar më 16-09-2013, 17:32

Shkup, 16 shtator 2013, NOA.al – Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka dhënë detaje të tjera lidhur me operacionin e arrestimeve për rastin e koduar “Spiuni”.

Zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski deklaroi se janë arrestuar 17 persona, ndërsa gjithsej të dyshuar janë 22 vetë, dhe se ata dyshohen për spiunim dhe bashkëveprim në vepra kriminale, duke i përcjellë informacione të besueshme shërbimeve të huaja sekrete.

Kotevski theksoi se hetimet mbi këtë rast kishin nisur para dy viteve dhe se dy nga të dyshuarit janë në arrati.

“Të gjithë të ndaluarit dhe dyshuarit në arrati akuzohen për spiunim dhe bashkëveprimtari kriminale. Një pjesë e tyre dyshohen edhe për mashtrim. Gjatë bastisjeve të shtëpive të tyre janë gjetur materiale të ndryshme të besueshme dhe të klasifikuara, kompjuterë dhe materiale tjera, të cilat i ishin përcjellë shërbimeve të huaja sekrete”, deklaroi zëdhënësi Kotevski.

MPB bëri të ditur jozyrtarisht për arrestimin e Marjan Maxhovski, shefit të kabinetit të kryetarit të Parlamentit, Trajko Veljanovski, i cili është anëtar i produksionit “Kontrabanda”, ish-drejtori i Agjencisë kundër pastrimit të parave, Vane Cvetanov, ish-gjenerali i forcave maqedonase të sigurisë pjesëmarrës në konfliktin e vitit 2001, Goran Stojkov, gazetari Zoran Bozhinovski, Ace Dinevski, ish-funksionar i Agjencisë për Kundërzbulim si dhe emra të tjerë, zyrtarë të punësuar në Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes dhe në sfera tjera. Sipas MPB, ata funksiononin si një shërbim sekret paralel. Ndër të arrestuarit janë dy të punësuar në Agjencinë për Kundërzbulim, dy veta në Drejtorinë e Sigurimit dhe Kundërzbulimit, katër të punësuar në MPB, tre në Ministrinë e Mbrojtjes, Arkivën Shtetërore dhe  një drejtor të Drejtorisë për punë financiare./n.p/a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit