

Eric Abidal rikthehet të flasë, dhe tashmë nxjerr në pah cilësitë humane të futbollistëve të Barcelonës. Francezi i cili aktivizohet tek Monaco ka bërë të ditur se braziliani Dani Alves u ofrua ti dhurojë mëlçinë gjatë periudhës së sëmundjes së keqe që kaloi mbrojtësi i majtë.
Historia ime me Dani Alves shkon përtej fanellës më numrin 22. Kur më njoftuan se duhet të operohesha, Dani ofroi mëlçinë e tij edhe pse logjikisht kjo nuk mund të bëhet pasi ai është një futbollist profesionist.
Marrëdhënia jonë shkon më tej sesa ajo shoqërore, citon Supersport.
Duke përfituar nga intervista, Abidal deklaron se nuk ka asnjë problem me Barcelonën dhe se një ditë do të rikthehet në “Camp Nou”.
Nuk kam asnjë problem me Barcelonën. Ato që janë thënë si nga unë edhe nga klubi janë të vërteta. Nuk kam probleme me askënd, as me Rosell, as me Zubizaretën dhe as me Vilanovën të cilin e admiroj.
Shpresoj të rikthehem në Barcelonë me alegronë që kam patur gjithmonë. Kam një marrëveshje me klubin që kur të largohem nga futbolli i luajtur të bëhem drejtues i shkollës katalanase në botë, dhe pothuajse e kam pranuar këtë propozim.
Ndërkohë pavarësisht se tek Barcelona planifikonin nisjen e sezonit pa të, Abidal zbulon se për të u interesua Bayern Munich, që në drejtim ka ish trajnerin e francezit tek blaugranat, Pep Guardiola.
Është e vërtetë që Guardiola më kërkoi tek Bayerni. Marëveshja nuk u arrit pasi nuk vendos ai për merkaton, Guardiola është trajneri dhe në këtë aspekt gjithçka ishte e komplikuar.
Drejtuesit dhe mjekët e Bayernit nuk dëshironin të rrezikonin, por i kuptoj shumë mirë. Megjithatë i jam shumë mirënjohës.
Më pas Abidal bën dhe një analizë të Barcelonës së drejtuar nga Tata Martino, të cilën e sheh ndryshe nga sezonet e kaluara ndoshta edhe prej formës jo të mirë të futbollistëve të cilët kanë luajtur në Kupën e Konfederatave me kombëtaren spanjolle.
Megjithatë Abidal është i bindur se Barcelona do të fitojë edhe këtë vit titullin në La Liga.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





