

Një 42 vjeçar që fiton Vueltën e Spanjës padyshim që përbën lajm. Suksesi i Chris Horner në një prej tre xhirove më të mëdha çiklistike në botë, ishte vërtetë i pabesueshëm, aq sa ka ngritur dyshime të mëdha për pastërtinë e tij, duke shtyrë agjensinë spanjolle të Antidopingut të thërrasë amerikanin për të kryer testet.
Deri këtu nuk ka asgjë të çuditshme, aq më tepër që duhet provuar nëse Horner ka përdorur apo jo doping, por interesant është fakti se kampioni i Vueltës është zhdukur.
Mjekët e anti-dopingut kanë shkuar në hotelin e tij për t’i kërkuar t’i nënshtrohet testeve por 42 vjeçari nuk gjendej në dhomë dhe është larguar pa lënë adresë.
Sipas rregullores, çdo sportist duhet të njoftojë për vendndodhjen e tij, në mënyrë që t’i nënshtrohet testeve sa herë të jetë e nevojshme por amerikani nuk e ka bërë diçka të tillë, duke ngritur dyshime të forta për suksesin e tij, citon Supersport.
Ende nuk ka asgjë të provuar mbi një pozitivitet të mundshëm por lëvizjet e Horner ngrejnë jo pak dyshime, në një sport i cili vitet e fundit është tronditur jo pak nga pozitiviteti, sidomos përsa i përket çiklistëve amerikanë, mjafton të përmendim rastin Armstrong.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





