Transmetuar më 16-09-2013, 11:21

Tiranë, 16 shtator 2013, NOA – Kryetari i Bashkisë së Trianës Lulzim Basha ka uruar sot nxënësit për nisjen e vitit të ri shkollor. Basha vizitoi gjimnazin “Sami Frashëri”, shkollë në të cilën ka mësuar edhe vetë. Krahas urimit kryebashkiaku  Basha ka shprehur angazhimin e tij për të vendosur standartin europian në shkollat, kopshte dhe çerdhet e Tiranës.

“Jam kthyer me kënaqësi të madhe në gjimnazin ku kam studiuar vetë, një nga gjimnazet më të njohura në historinë e arsimit shqiptar dhe më të mira gjimnazin “Sami Frashëri”. Me këtë rast dua t’ju uroj të gjithë nxënësve të këtij gjimnazi, trupës pedagogjike, drejtoreshës, një vit të mbarë dhe të suksesshëm. Sikundër dua t’ju uroj të gjithë nxënësve të kryeqytetit, nxënësve anembanë Shqipërisë, prindërve të tyre, një vit të mbarë dhe të suksesshëm arsimor”,- tha Basha.

Kryebashkiaku tha se Bashkia e Tiranës edhe këtë vit ka marrë masat për të hedhur një tjetër hap cilësor në raport me  infrastrukturën  arsimore. “Natyrisht nevojat vijnë gjithmonë e në rritje, edhe për faktin sepse numri i nxënësve në shkollat 9-vjeçare edhe të mesme, sikundër në kopshte dhe çerdhe ka ardhur duke u rritur edhe për faktin se është vetë natyra jonë që të kërkojmë standarde më të larta vit pas viti, natyrisht duke u matur me objektivin tonë të standardit europian në shkolla”,- tha Basha.

Ai shtoi se Bashkia e Tiranës po investon si për ndërtimin e objekteve të reja shkollore, meremetimin e atyre ekzistuese, dhe pajisjen me infrastrukturën e plotë me palestra, me kabinete, me laboratorë. “Aktualisht  po investohet dhe do të investohet në ndërtimin e 9 palestrave të reja anembanë qytetit të Tiranës dhe 25 laboratorëve, për të bërë të mundur pra një cilësi më të lartë në mësimdhënie”,- tha kryebashkiaku Lulzim Basha.

Bashkia e Tiranës bën të ditur se me buxhetin e vitit  2012 Bashkia e Tiranës ka realizuar dhe ka në proces rikonstruksionin e 8 kopshteve dhe ndërtimin e 4 kopshteve  të rinj, rikonstruksionin e 6 shkollave 9- vjeçare dhe ndёrtimin e 4 shkollave tё reja, rikonstruksionin e 2 shkollave tё mesme dhe ndërtimin e 1 shkolle  tё re.

“Do tё ndërtohen 9 palestra tё reja dhe  do tё rikonstruktohen  ato ekzistuese. Do tё  shtohen 25 laboratorё tё rinj. Do të instalohet sistemi i ngrohjes në 20 objektet që rikonstruktohen dhe në 9 objektet e reja që do të ndërtohen.  Në buxhetin afatmesëm 2013–2015, parashikohet rikonstruksioni i 4 kopshteve dhe  ndёrtimi i 6  të rinjve (kopësht i integruar), rikonstruksioni i 14 shkollave 9-vjeçare dhe ndёrtimi i 3 objekteve tё reja, rikonstruksioni i 1  shkolle tё mesme dhe  ndёrtimi i 2 objekteve tё reja, do tё ndёrtohen 5 palestra tё reja dhe  do tё  shtohen 34 laboratorё tё rinj”, bën të ditur Bashkia e Tiranës. Ndërsa instalimi i sistemit të ngrohjes do të realizohet në 15 objektet që rikonstruktohet dhe në 10 objektet e reja që do të ndërtohen.

a.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit