

Tiranë, 15 shtator 2013, NOA.al – Zyra e deputetit Edi Rama në Vlorë, si zyra e Sudes … Ky ka qenë krahasimi me të cilin, kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, e nisi fjalimin përmbyllës të diskutimeve parlamentare në kuadrin e debatit për programin e ri qeverisës të së majtës.
Ku sipas tij, kryeministri i ri Rama premtoi çmendurira gjatë fushatës elektorale të 23 qershorit dhe për fat të keq, shumë qytetarë shqiptarë i besuan kësaj.
“Pushteti i Ramës filloi me tentativë për dhunimin e opozitës. Ky zotëria e urren opozitën, urren opozitën në përgjithësi dhe ata që i dalin kundër dhe e kundërshtojnë”, vuri gjithashtu në dukje kreu i deputetëve demokratë.
Për të shtuar edhe se nuk ka ndodhur kurrë që të ndodhë të prezantohet një program qeverisës dhe ministrat të mos lejohen të flasin asnjë fjalë.
“Ajo që ne morëm në dorë, ishte një nga fjalimet e tua të fushatës elektorale”, iu drejtua ai Ramës.
Për të përfunduar me faktin se “Rama me këtë qeverisje, pret që të hyjë në histori”.
“Por si do hyjë në histori zoti Rama? Të gjithë e dinë se ai ka një kompleks inferioriteti ndaj zotit Berisha. Sado gjatë të rrijë në politikë dhe sado i gjatë të jetë, ai nuk do mundet t’i vijë dot Berishës as deri tek mesi”, përfundoi fjalën e tij, Paloka. /e.t/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





