Transmetuar më 15-09-2013, 13:54

Tiranë, 15 shtator 2013, NOA.al- “Do t’i kërkoja sot kësaj qeverie, që të mbronte më shumë interesat e individëve në këtë shoqëri. Sikundër, që të mos marrë më borxh të ekzagjeruar”.

Kjo ka qenë një nga këshillat e deputetit socialist, Ben Blushi, në kuadrin e qeverisjes së re të së majtës, dhënë sot nga foltorja e Kuvendit.

Duke apeluar më tej se “më shumë se një rrugë, sot vendi ka nevojë për një kthesë”.

Sepse sipas tij, në këto 20 vite janë bërë shumë shkatërrime dhe ka ardhur koha që individi të respektohet.

“Shqipëria duhet t’i menaxhojë pasuritë e saj. T’i jepet fund një kulture ku dhunohet individi”, tha mes të tjerash deputeti socialist.

Por Blushi ka pohuar edhe se “nuk ka ardhur në këtë Kuvend të mbrojë një qeveri, por se ka ardhur koha të ndryshohen shumë gjëra”.

“Çdo qeveri duhet të ketë qëllime të mëdha politike”, ishte një apel tjetër drejtuar nga deputeti socialist.

Ndërsa lidhur me leximin e votës së 23 qershorit, ai u shpreh se shqiptarët votuan për të mbrojtur pasuritë e tyre.

“Ne kemi fituar mbi Partinë Demokratike, por nuk kemi fituar mbi varfërinë. Koha që kemi para është e  mjaftueshme për të qeverisur, por jo për të fituar”, theksoi gjithashtu Blushi. /e.t/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit