

Tiranë, 15 shtator 2013, NOA-Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, i zgjedhur deputet në listën e Partisë Demokratik, Dashamir Shehi u shpreh sot në fjalën e tij në Kuvend, se koha e sharjeve nga ana e mazhorancës së re duhet të marrë fund. Ai tha se e majta pati kohë të nxirrte dufin ndaj qeverisë në ikje gjatë muajve të ndërrimit të pushtetit.
“Fitimtarët duhet të jenë më tolerantë, jo se duhet të harrojnë, por kanë kohë për ti parë dhe rregulluar gjërat. Do të vij një ditë që do mbarojë kjo puna e të sharave, ku do shkoj gjithë kjo. Kemi pasur kohë dy muaj për të sharë sa u ndërrua qeveria. Kam bindjen se duhet punë tashmë”, -tha Shehi.
Deputeti Shehi u shpreh se për mazhorancën e re nuk do të ketë asnjë justifikim nëse nuk ndryshon gjërat në vend. Sipas tij, numrat që ka PS dhe LSI duhet të mos shërbejnë vetëm për arrogancë. “Kjo mazhorancë është arrogante për shkak të numrave dhe unë e kuptoj këtë gjë. Por nuk ka asnjë ndjesë, ka luksin të bëjë çdo reformë që do dhe duhet ta provoj këtë. Programi i Ramës ishte vetëm dëshirë. Programit i mungon një aks, një bosht. Rama duhet të thoshte unë do të bëjë tre apo katër gjëra, kaq mjaftonin, por ka marrë nga një gjë për të gjitha, njëlloj sikur tu bënte makiazh”,- u shpreh Shehi.
Duke komentuar programin, ai u shpreh se termi Rilindje është i gjetur, por dokumenti i PS nuk i afrohet kësaj fjale. “Si mund të bëhet rilindje, siç thoni ju, të bëhen gjithë këto reforma, pa parë thelbin, Kushtetutën. Ju nuk e përmendi fare Kushtetutën”,- tha Dashamir Shehi.
a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





