Transmetuar më 14-09-2013, 21:53

Fillojmë opozitën në mbrojtje të qytetarëve, administratës dhe institucioneve të pavarura, nga vreri i hakmarrjes politike të Edi Ramës. Ky program, nuk ka një model qeverisjeje. Është një program nihilist dhe negativist mbi të gjitha ato që janë arritur me qëllimin e vetëm për t’iu shmangur përgjegjësive që mori në fushatë. Një program që është shkruar nga një OJF pranë tij, që mohon gjithçka por dhe që nuk njeh realitetin.

Nga Eduard Halimi

Deputet i Partisë Demokratike

Dy ditë më parë nga kjo foltore shqiptarët duhet të dëgjonin një Kryeministër që do t’i bënte më optimistë. Një program politik që do kishte në qendër ata që e votuan në 23 qershor dhe premtimet që ai u bëri atyre. Një program që do t’u thoshte në mënyrë të qartë dhe konkrete, me hapa e objektiva konkrete.

Kur do fillojë shëndetësia falas? Kur do të fillojë dhe kur do mbarojë legalizimi falas? Kur do ulen taksat për 95% të shqiptarëve? Kush do paguajë dhe sa do paguajë? Kur do fillojë dëmshpërblimi për 2 vjet i ish-të përndjekurve, sa do paguhen dhe kur? Kur do fillojë t’u japë tapinë në dorë qytetarëve, dhe cili është kalendari për 1 vit që ua premtoi? Pyetje që qytetaret nuk morën përgjigje as tek lexonin programin. Programi është serish fjalimi politik i Ramës në fushatë, me sloganin “Kam në plan të bëj një plan”. M’u kujtua sesi 4 vjet më parë, Rexhep Meidani tha se Rama e kishte mashtruar kur i tha se po i dorëzonte programin, sepse brenda kutisë ku shkruhej “Program”, nuk kishte asgjë.

Ta tha dhe Majko që dhe ai ishte skeptik se ti do kishe fatin e Papandreut. Tha se kjo mund të ndodhte, ti të dështoje, por nëse kjo ndodhte, nuk do ta kishe ti fajin, do ta kishte fajin Saliu!!!

E dëgjova kryeministrin e ri, i prirur për ta parë ç’ka  ndryshuar tek ky njeri! Nuk kisha as më të voglin dyshim se ai nuk do bënte asgjë për të luftuar korrupsionin, sepse ishte ai që qeverisi për 10 vjet Tiranën, dhe i ktheu Bashkinë dhe lejet e ndërtimit në simbol të rryshfetit dhe korrupsionit. Nuk kisha as edhe më të voglin dyshim se do ndryshonte nga sindroma e shkatërrimit, matrapikut, sëpatës, fadromës, arrogancës me djersën e qytetarëve. Nuk kisha asnjë dyshim se për drejtësinë dhe për reformimin e saj nuk kishte kuptuar gjë, dhe e vetmja alternativë që kishte, ishte sulmi verbal mbi njerëzit e drejtësisë.

Por doja të dëgjoja nëse ky njeri e kishte kuptuar se ishte bërë kryeministër i gjithë shqiptarëve, kishte filluar të hiqte mllefin, helmin dhe vrerin që kishte ndaj mazhorancës së djeshme dhe opozitës së sotme dhe të sillej si lider!

Dukej si kryeministri i zgjedhur ishte në opozitë dhe po shante mallkonte mazhorancën dhe jo si ishte lider i mazhorancës ku qytetarët do shihnin shpresën.

Ai nuk e kishte kuptuar akoma që është bërë kryeministër. Kurrë ndonjëherë nuk është dëgjuar në këtë parlament, dhe në asnjë parlament të botës demokratike, që një kryeministër i dekretuar, në fjalën e parë në Kuvend, në paraqitjen e programit, të ketë kaq shumë mllef politik, urrejtje dhe vrer për hakmarrje. I shkreti ai për vrerin që mban brenda. Për të nuk ka shërim.

Gjatë gjithë fjalës në Parlament, u përpoq të nxijë realitetin shqiptar, si një alibi të qartë për t’u ikur premtimeve. Por Shqipëria, z. Rama, është krejt ndryshe nga ajo që ti u the shqiptarëve, dhe krejt ndryshe nga ajo që gjetëm para 8 vitesh. 8 vjet më parë na latë një Shqipëri, me banda që lëviznin lirshëm, me drogë që kalonte çdo ditë nga njëri breg në tjetrin, me trafikantë që komunikonin lirshëm me policinë dhe zyrtarë shtetërorë, na latë Shqipërinë e gomoneve, të drogës, të krimit të organizuar, të korrupsionit të skajshëm. Një Shqipëri ku bandat ishin në simbiozë me qeveritarët dhe aspak për çudi, pak muaj më parë segmentet e tyre u përfshin në fushata elektorale për tu përdorur për marrjen e votave. Na latë një Shqipëri me administratë 110.000 punonjës, dhe po e lëmë me 85.000; një qeveri të madhe me badigardë, shoferë, makina për të gjithë zyrtarët e këtij vendi, dhe po ju lëmë një Shqipëri me një administratë pa makina për zyrtarët, përfshi deputetë, pa shoferë e badigardë që bënin ligjin në këtë vend. Ishte një vend ku anëtarësimi në NATO as që ëndërrohej, marrja e Statusit Kandidat, e largët.

Hoqëm vizat dhe radhët e gjata të qytetarëve dhe rrëzuam çdo skepticizëm, të gjithë atyre që me mllefin e opozitës së djeshme, u shkruanin e-mail, duke i kërkuar refuzimin e heqjes së vizave, sepse shqiptarët qenkëshin grup kriminelësh që do pushtonin vendet e BE-së. Eliminuam bandat dhe kriminelët i çuam me vite të tëra brenda hekurave, eliminuam skafet e gomonet të cilat ishin simbol i Shqipërisë dhe kryem reforma, duke e bërë vendin anëtar të NATO-s, ngjarjen më historike pas shpalljes së pavarësisë së vendit, edhe pse opozita e djeshme, sot mazhorancë, u binte bilbilave me shami të zezë në gojë.

Për 8 vjet, qeveria e Sali Berishës, e transformoi Shqipërinë. Ndërtuam rrugë më shumë se çdo qeveri tjetër, zhvilluam vendin, rrugën e kombit, tunelet, ujësjellës, kanalizime, shkolla të reja, edhe pse opozita votoi kundër çdo herë. Ecëm në rrugën e vështirë të reformave të drejtësisë, duke patur përballë opozitën më regresive, e cila bllokoi për më shumë se 5 vjet, të miratonte kodet, gjykatën administrative, gjykatën e lartë, dhe gjithçka tjetër që kërkonte vullnetin e tyre. Por ne e transformuam sistemin.

Nga një Shqipëri ku 85% e vendimeve gjyqësore nuk ekzekutoheshin, reformuam sistemin përmbarimor dhe sot niveli i ekzekutimit më përmbarimin privat është i njëjtë me vendet e BE-së. Reformuam një nga një të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë, duke ndërtuar një mozaik të qartë reformash. Reformuam noterinë, reformuam sistemin e burgjeve dhe i bëmë ato të sigurta, me zero arratisje në 8 vjet, Ndërtuam një sistem unik për dixhitalizimin e gjykatave. Vendosëm një sistem të qartë të karrierës në gjyqësor, luftuam kundër korrupsionit hoqëm imunitetin duke çuar më shumë se 30 gjyqtarë dhe 50 prokurorë për procedim, por sigurisht që ngelet akoma për të bërë.

Sot ne ju dorëzojmë një Shqipëri krejt tjetër nga ajo që gjetëm 8 vjet më parë dhe krejt tjetër nga ajo që z. Rama u tregon shqiptarëve. Por, në 23 qershor shqiptarët votuan.

Por pa hequr asnjë përgjegjësi nga vetja për rezultatin e zgjedhjeve, ne nuk mund të heshtim përballë manipulimit që i kanë bërë vullnetit dhe votës së lirë të shqiptarëve, mashtrimit ndaj qytetareve me premtime false, përdorimit te parave te pista dhe krimineleve ne mbledhjen e votave.

Lexova programin i prirur, edhe nga mënyra se Rama do i argumentonte shqiptarëve se ky kabinet, kjo strukturë, kjo përbërje dhe ky program duhet të ishte për ta, për qytetarët. Se ky program dhe kjo strukturë qeverisje do të niste siç nis çdo kabinet në çdo vend demokratik perëndimor, me më pak paga, më pak shpenzime, pa makina luksi, pa administratë të ekzagjeruar, e thënë ndryshe, me barre më të lehtë për qytetarët. Se do sillte një model qeverisje.

Por ky program, nuk ka një model qeverisjeje. Është një program nihilist dhe negativist mbi të gjitha ato që janë arritur me qëllimin e vetëm për t’iu shmangur përgjegjësive që mori në fushatë. Një program që është shkruar nga një OJF pranë tij, që mohon gjithçka por dhe që nuk njeh realitetin.

Një program që i ngjan një memo të një ndihmësi të dobët që bën plagjiaturë duke kopjuar pjesë të strategjive të ministrive. E thënë troç, një program kopjac. Nuk njeh realitetin sepse 80% nga ato që ju thua dhe premton shqiptareve në këtë program të shkruar, janë realizuar. U shkruan shqiptarëve se do bësh dixhitalizimin e gjykatave, por ajo ka mbaruar në fillim të këtij viti dhe është inauguruar edhe me partnerët ndërkombëtarë. Thoni se do bëni dixhitalizimin audio, por ai është financim i USAID dhe është duke përfunduar. Këtë e di dhe një punonjës i thjeshtë. Ju po u thoni shqiptarëve se do bëni reformimin e ZRPP-së, hipotekave dhe do krijoni regjistrin elektronik, i cili përfundon pas 2 muajsh me financim të Bankës Botërore.

U thoni shqiptarëve se do nxisni përmbarimin për të përshpejtuar çështjet, por ato ekzekutohen po aq shpejt sa në vendet e BE-së sot me përmbarimin privat. U thoni shqiptarëve se do ndërmerrni paketë ligjore për disa institute si KP Penale dhe KLD apo Gjykatë Kushtuese, por ato janë përfunduar një pjese me partnerët ndërkombëtarë dhe disa të tjera janë në programin e MD-së për këto muaj.

U thoni shqiptareve se do zgjidhni problemin e tapive të tokave bujqësore por nuk përcaktoni asgjë, asnjë afat, asnjë plan. Ku shkoi premtimi juaj se do marrin tapitë brenda vitit? A e mbani mend se çfarë thatë në Rashbull? Sot u thoni se vitin e ardhshëm do bëni një plan.

Nuk kisha dyshim se nga punët dhe çështjet e drejtësisë Rama nuk kishte marre vesh ndonjëherë. As nga çështjet e pronave kur u tha shqiptarëve se do kërkonte në arkivat e Italisë dhe do ua zgjidhte duke i rishikuar nga e para të gjitha. Nuk kam dyshim as sot kur nuk e gjen kund të shkruar dhe e ka e ka harruar këtë. I gjithë programi i premtimeve është tretur dhe vendin e ka zënë një program kopjac. Aty mungojnë objektivat e qarta, drejtimet për arritjet, planet dhe kalendarët e veprimit. Për pronat u thoni shqiptarëve sot, se e vetmja alternativë që u ofroni, është se do rishikoni strategjinë e pronave dhe do bëni një plan brenda viti të ardhshëm. Nuk besoj se ndonjë shqiptar e quan këtë program që u jep shpresë.

Nuk prisja që të kishte mësuar ndonjë gjë nga shteti i së drejtës, po aq sa nuk prisja që të bënte një luftë të hapur dhe pa kompromis ndaj korrupsionit në drejtësi. Por prisja të kishte ndryshuar sot kur u bë kryeministër, dhe se do hiqte dorë nga sulmet ndaj gjyqtarëve, prokurorëve, ndaj institucioneve të pavarura. Prisja që këshilltarët e tij ta kishin mësuar se një KM, nuk mund të kërcënojë në një vend të lirë se nuk do njohë pavarësinë e gjykatave, dhe se gjykatësit e çështjeve i pret hakmarrja e tij. Nuk do njohë pavarësinë e prokurorëve, dhe se prokurorët e çështjeve i pret hakmarrja e tij.

E them sot këtu në emër të deputetëve të opozitës së Rama duhet ta harrojë se do ketë mundësi të hakmerret ndaj institucioneve të pavarura. Ta harrojë se do e lejojmë të kërcënojë sërish institucionet e këtij vendi, siç nxitoi të hapte gazetat e tij të nesërmen. Frikën duhet t’ia ketë vetes, për vrerin qe mban brenda, se vreri i hakmarrjes është ai që nuk të jep shërim.

Ka një risi kjo qeveri. Ka risinë e babëzisë për tortën e pushtetit. Do votoj kundër kësaj strukture të kabinetit qeverisës, sepse në kohen e krizës më të madhe të rajonit, na vjen një kabinet me 5 ministri më shumë që sigurisht ata që votuan, nuk i dinin në 23 qershor. Nuk do të shpenzohen paratë e Edi Ramës, por të shqiptarëve. Ai premtoi t’i pyeste për çdo vendim. A janë dakord ata që Rama të ketë një ministri të tërë për të komunikuar me parlamentin edhe pse e ka 10 m larg zyrës së tij?! Po që të ketë 3 ministra shteti, thuaj që këta 16 të tjerët nuk janë për shtetin përfshi dhe një zv.kryeministër që nuk ka asnjë ministri. Nuk dua ta pyes se sa i ka kushtuar zyra e deputetit në Vlorë, ku i gjeti paratë, kush po i paguan, se ndoshta janë paratë e Ramës dhe llogari e ka institucionet, por kur bëhet fjalë për më shume se 10 mln euro për të ndryshuar kabinetin dhe për të lëvizur ministritë, dhe këto para’ janë të qytetarëve, duhet të ndalem. Ky nuk është interes i qytetarëve dhe as ushtrimi pushtetit prej tyre por një haraç i larte, i tepërt, i panevojshëm, që duhet paguar për qeverinë më të madhe në histori dhe parlamentin më të shtrenjte kur te gjithë qeveritë e vendeve të zhvilluara po bëjnë shkurtime! A donin këtë shqiptaret ?!

JO nuk donin këtë. Por e donte Edi Rama. Donte të krijonte dy ekipe, një ekip ekzekutiv, dhe një politik. Një komitet ekzekutiv dhe një komitet partie. Këtu mbrapa kam komitetin ekzekutiv me njerëzit e kryetarit, ndërsa përpara, komitetin e partisë.

Kjo është Rilindja, të dashur kolegë. Ky është modeli i Rilindjes tek idhujt shpirtërorë dhe tek bllokmenët. Dhe qytetarët nuk e duan këtë model, për arsyen, mbi të gjitha për taksat që duhet të paguajnë duke hequr nga goja e fëmijëve të tyre për të paguar haraçin e z. Rama që është jo më pak se 10 mln euro

Por haraçi që duhet të paguajmë për këtë strukturë është më i madh. Ky parlament ka 160 deputetë. Qytetarët votuan për 140. Dhe kaq janë shumë. Qytetarët e dinë më mirë se ne. Çdo deputet këtu i kushton buxhetit jo më pak se 2 mln lekë në muaj, madje me statusin e ri që hyn në fuqi edhe nja 500 më shumë. Ky parlament do t’u kushtojë minimumi 2 milion USD më shumë qytetarëve. Por a u pyetën ata se përse duhet të paguajnë 2 mln më shumë për rroga ndaj nesh?? Pse i duhej z. Rama të shtonte 20 deputetë të tjerë, për t’i bërë ata ministra?

Ndaj dhe do më duhet të votoj kundër strukturës së këtij kabineti. Do të votoj edhe kundër përbërjes së këtij kabineti.

Pak ditë më parë, i kërcënoi ministrat e tij që të mos merrnin në punë kushërinjtë, madje do ifuste dhe në burg, por një nga anëtarët e tij e pranoi se e kishte kushëri. Ky është standardi që po na propozon sot. Standardin e nepotizmit ne qeveri. Nga ana tjetër, kjo qeveri nuk ka në përbërje ata që luftuan në fushatën 2013, mbajtën peshën kryesore, aty. Por ndërsa i dërgoi në betejë, në mendje kishte qeverinë hije, qeverinë personale pa lidhje me meritën, pa lidhje me kontributin ndaj partisë, pa lidhje me karrierën në parti. Ndaj dhe sajoi këtë kusht o deputet, o ministër, o komitet ekzekutiv, o komitet partie, për t’i nënshtruar ata që mund të kërkonin meritën, duke i kërcënuar me heqjen e mandatit. Por jo se më vjen keq që në këtë kabinet nuk janë kundërshtarët tanë më të fortë. Aspak. Nuk është ky problemi.

Problemi qëndron tek qëllimi i mbrapshtë të Edi Ramës për të centralizuar pushtetin në një dore, për aq sa i përket PS, t’i ketë gati si kamikazë dhe hanxharë, për hakmarrjen, mllefin dhe vrerin që po i gërryen enën përbrenda dhe mezi priste ta zbraste një pjesë ditën e parë të jetës si kryeministër. I duhen hanxharë politikë si këta këtu, për spastrime të thella në stafet profesioniste, në administratën publike, për t’u hakmarrë ndaj opozitës, ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe për t’i thënë shqiptarëve se ka ardhur ora e hakmarrjes politike. Ai do i ketë të gjithë nën vete. Ndaj dhe i zgjodhi të rinj, pa lidhje me njëri-tjetrin, pa karrierë në PS, pa meritë. Këta do bëjnë atë që t’i urdhërojë, i urdhëroi të qeshnin pak më parë me SMS kur po fliste Majlinda dhe ata qeshën, do përplasin kokën pas murit si kamikazë sa herë që do t’i thotë Rama. Ata do të binden, sepse nuk kanë çfarë të humbin në karrierë, s’kanë asgjë, ata i krijoi ai, dhe nëse do kundërshtojnë humbin gjithçka sepse u hoqi mandatin, duke i trembur të tjerët. Ajo që ndodhi para dy ditësh ishte prologu i asaj kulture të konfliktit politik që Rama po na sjell në parlament. E bën këtë dhe do ta bëjë, edhe në muajt në vijim me qëllimin e vetëm për të fshehur paaftësinë tij për të mbajtur premtimet, paaftësinë e tij, për t’u bërë një kryeministër i mirë për shqiptarët; faktin e pashmangshëm se ka 95% shanse për të dështuar.

Por ne do jemi këtu, çdo ditë, për të mos e lejuar as edhe një minutë të vetme që konfliktin politik ta ketë alibi për mbuluar dështimin, sulmet politike si mjegull për të humbur gjurmët, hakmarrjen ndaj institucioneve si paaftësi për t’i reformuar. Por do jemi këtu, me qetësi dhe maturi, me përgjegjshmërinë e mandatit të opozitës, për t’u treguar qytetarëve, çdo ditë, çdo orë dhe çdo minutë se jemi dhe do mbetemi një forcë politike, sot opozitë dhe shumë shpejt mazhorancë, me një qëllim të vetëm, mbrojtjen e lirive dhe interesat e qytetarëve shqiptarë dhe fëmijëve të tyre.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit