

Teksti që lexuam me durim e me durim, veçse durimin se, çdo dëgjojmë e presim në tekstet e Edi Ramës këto vite, nisi të na kalisë. Mund edhe të them se teatraliteti i fjalimit të kryeministrit të rilindur, më bindi, se para leximit të tekstit – program, duhej marrë frymë thellë.
Nga Majlinda Bregu
Deputete e PD
Me ankth të paparë, por dhe me kuriozitet opozitar, vendosa ta lexoj me laps në dorë!
Doja të kuptoja, se pasi “rilindi” gjenerata e re, bijë e dashurisë PS e LSI, kur e sa do të kushtojë “Rilindja e Shqipërisë”!
Në një anë lexoja premtimet elektorale të thëna e rithëna gjatë fushatës së Rilindjes, nga ana tjetër, programin prej 80 faqesh, nga të cilat 20 janë foto të ministrave, 14 janë vetëm faqe dekorative ku rilindje kanë pësuar vetëm simbolet kombëtare. Shqiponja dhe përkrenarja e Skënderbeut që tani sheh majtas.
Kaq sa për hyrje.
Tani, i ashtëquajturi programi i qeverisë së Rilindjes, fillon me proçesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Media do ta quante “Axhendën e integrimit për në BE, 2014 -2020”.
Pra, unë prisja të lexoja, se si e kur ka vendosur ta kapë trenin drejt BE-së Edi Rama, atë tren të cilin për 3 vjet rresht, nuk i la gurë e baltë e pisllëqe të tjera pa i nxjerrë përpara për ta ndalur.
“Ndal, se kur të hipi une, do të ecim bashkë”,- thoshte Rama. Dhe në fakt, e ndali. Këtu s’kam çfarë them. E ndali, për 3 vjet, e bllokoi çdo ditë për 230 ditë vitin e fundit. I zhveshi shqiptarët nga mundësia që të mbërrinin në stacionin ku e meritojnë në kohë, pse jo edhe më shpejt se vendimet e gjeopolitikës, jo rrallë kundër shqiptarëve.
Iu hoqi shqiptarëve mundësinë e miliona eurove, a thua se ky vend s’ka nevojë më për asnjë grant, sepse ngazëllimi vjen me Edi Ramën!
Por, ja po kthtehem te programi.
Asnjë rresht se si qeveria e rilindasve do të ndjekë këtë proçes.
“Integrimi i Shqipërisë në BE, për PS-në nuk është thjesht një slogan, por një program politik”- ka thënë në fushatë ish-kryetari i Komisionit të Integrimit, sot Minister i Jashtëm z. Bushati.
Ku është programi???
“Marrja e statusit të vendit kandidat dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësim në BE, do të përbëjnë përparësinë politike të qeverisë së re."
Statusin e vendit kandidat do ta merrni dhuratë, se ne e morëm propozimin, sepse i kemi realizuar detyrimet, por të paktën të gëzojë edhe Edi Rama për këtë dhuratë.
Por nuk ka asnjë datë, asnjë ditë, asnjë plan se çdo të bëhet për hapjen e negociatave e më pas. Asgjë!
Cilësinë e shpejtësinë e proçesit të integrimit veç faktit që hipi në tren Rama, në program thonë se do ta arrijnë nëpërmjet “Zbatimit me korrektësi të MSA-së, përmbushjes së pjesës së mbetur të 12 prioriteteve”.
E keni me vlerësime të BE-së, se MSA është zbatuar në mënyrë korrekte, pra se çdo t’ i shtoni ju korrektësisë, përtej asaj që është vlerësuar, këtë s’e kuptoj.
Për më tepër që planin për zbatimin e MSA-së, e keni tashmë në një sistem të integruar online.
Vazhdojmë…
”Ne do të hartojmë Strategjinë e re për Zhvillim dhe Integrim 2014 – 2020 dhe strategjitë e tjera sektoriale, duke siguruar përputhshmërinë e këtyre dokumenteve me IPA II, sikundër do të përditësojmë Planin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së.”
Po mirë, si mund të jeni kaq të dobët e të gënjeni pa iu dridhur dora fare, kur bëni copy – paste të dokumenteve të qeverisë paraardhëse.
Sepse SKZHI-ja jo vetëm që është e hartuar për vitet 2014-2020, jo vetëm që është e lidhur me kostot e masave, pra ka buxhet, por është e lidhur në mënyrë harmonike me planin kombëtar te MSA-së, me planin buxhetor afatmesëm.
Paragrafi është plagjiaturë e aktiviteteve të kësaj qeverie: IPA II është në përputhje me SKZHI 2014-2020.
Hartimi i SKZHI së re është mbështetur nga disa projekte konsulencash miratuar në kuadër të Fondit të Besimit për mbështetjen e SPI financuar nga BE, Suedia, Austria dhe Zvicra. Shuma e financimit i tejkalon 200,000 euro ku janë angazhuar konsulentë të huaj dhe shqiptarë.
200 mijë euro ekspertizë për të hartuar këtë dokument të cilin ju thoni se do ta hartoni. Doni ta hartoni nga e para se keni listë ekspertësh që jua kanë shkruar dhe këtë tekst – program? Si të doni, por po ju denoncoj publikisht se do të hidhni në kosh, dhe do t’u hani vetëm me këtë dokument, 200 mijë euro të tjera shqiptarëve.
Kjo strategji është hartuar që të përkojë me periudhën e programimit financiar të ardhshëm të BE-së 2014-2020, me Strategjinë e Lisbonës së BE-së deri më 2020, si edhe me disa cikle të programimit të Programit Buxhetor Afatmesëm (PBA).
Ja çfarë thuhet ne dokumentin që e keni gati, gati, ndaj mos gënjeni që do ta hartoni ju. Është kryer.
Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2013 – 2020 është hartuar mbi bazën e një vizioni afatgjatë: "Shqipëria, një vend i zhvilluar, demokratik dhe garant i lirive dhe të drejtave themelore të njeriut si dhe i integruar në strukturat europiane". SKZHI është përgatitur nën frymën e Strategjisë "Europa 2020" të miratuar nga Këshilli Europian në qershor 2010, duke adresuar çështjet kyçe prioritare kombëtare.
Dhe ju kemi lene gati dhe fushat prioritare:
Fokusi i SKZHI-së 2013-2020 paraqitet nëpërmjet katër shtyllave si vijon:
I. Forcimi i demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
II. Zhvillimi ekonomik, konkurues dhe i qëndrueshëm përmes përdorimit eficient të burimeve.
III. Rritja e përfshirjes sociale nëpërmjet zhvillimit të tregut të punës dhe mirëqenies shoqërore.
IV. Zhvillimi i shoqërisë bazuar në njohuritë, inovacionin dhe teknologjinë dixhitale.
Dhe këto janë kapitujt e programit tuaj. Tani o pranoni se e keni vjedhur dhe e paraqisni si program të rilindjes së gjeneratës së re, ose bëhuni shtetarë, edhe pak fare evropiane, dhe pranoni se ju do të vazhdoni të qeverisni me dokumentat solide të qeverisë paraardhëse.
Zgjidh pra z. kryeministër, o je nihilist, o je kopjac e genjeshtar! Ose mbaji të treja se të rrijnë!
Vazhdojmë më tej:
“Do të përmirësojmë rrënjësisht modelin aktual të bashkërendimit të ndihmës së BE dhe asistencën dypalëshe e ndërkombëtare, duke e kanalizuar atë drejt agjendës zhvillimore të vendit. Në vend të pingpongut institucional do të ndërtojmë një mekanizëm në nivel ndërinstitucional për identifikimin e nevojave dhe kapaciteteve për programimin dhe zbatimin e projekteve të financuara nga BE. Do të bashkërendojmë përgjegjësitë ndërmjet autoriteteve shtetërore në lidhje me projektet e infrastrukturës të financuara nga BE dhe do të ndërmarrim masat paraprake për të mundësuar menaxhimin e fondeve bujqësore IPARD”
Epo që këtë të mos ua ketë sqaruar mirë Ditmiri, nuk ma do mendja. Po që të shpallni si program qeverie, rolin e NIPAC, koordinatorit kombëtar të IPA-s, i cili është krijuar me urdhrin nr. 154, datë 13.07.2006, Për caktimin e Koordinatorit Kombëtar në programin Instrumenti i ndihmës së paraaderimit të Bashkimit Evropian pra 7 vjet përpara, Ju qofshi!
Nën këtë përgjegjësi prej 7 vitesh tashme Ministri i Integrimit ka menaxhuar dy Instrumentet financiarë nga të cilët ka përfituar Shqipëria gjatë kësaj periudhe: (i) CARDS (2001-2006) dhe (ii) IPA (2007-2013). Në këtë kuadër, janë programuar 890.4 milion Euro, nga të cilat 45.5 mln Euro për programin CARDS 2005 dhe 844.9 mln Euro për programet IPA 2007-2013/komponenti I. Në total janë 109 projekte në sektorë si: drejtësia dhe çështjet e brendshme, transporti, mjedisi, administrata publike, bujqësia, arsimi, politikat sociale. do te ishin me shume këto fonde ne rast se nuk do te kishit ndaluar trenin qe kërkoni te kapni tani.
Pra edhe këtu gënjeni rëndë.
Integrimi Evropian është një nga 4 procese kryesore së bashku me SKZHI, PBA dhe koordinimin e ndihmës së huaj. Për koordinimin e integrimit evropian janë ngritur një sërë grupe pune ndërinstitucionale ku më i rëndësishmi është Komiteti i Planifikimit Strategjik i drejtuar nga Kryeministri që miraton projektet e IPAs. Po ashtu kemi mbledhjet vjetore të Komitetit të Monitorimit të Instrumentit të Para Aderimit me pjesëmarrjen e KE, MIE dhe ML. Në këto mbledhje vjetore analizohen dhe diskutohen zhvillimet pozitive, por edhe mangësitë në procesin e programimit dhe zbatimit të IPA. Po ashtu kemi mbledhjet mujore mbi projektet problematike midis DBE dhe MIE me pjesëmarrjen ose jo të SPO-ve.
Kush do të jetë ndryshimi sepse strukturat ekzistojnë dhe koordinimi i procesit është siç paraqitet ne tekstin tuaj program.
Në 21 gusht 2013 me kërkesë të BE u miratua krijimi i Komitetit Ndërinstitucional për Monitorimin e IPA-s nën drejtimin e NIPAC dhe me pjesëmarrjen e Zëvendësministrave nga ministritë përfituese të fondeve të BE-së si pjese e VKM nr 23 të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e funksioneve, të përgjegjësive dhe të marrëdhënieve ndërmjet autoriteteve dhe strukturave të menaxhimit të decentralizuar të asistencës së BE, në kuadër të parazgjerimit (IPA), komponenti i I-rë, të “Asistenca e Tranzicionit dhe forcimi institucional”.
Shqipëria arrin të bëhet vendi i parë në rajon që të kualifikojë administratën e vet për të marrë përsipër prokurimet e fondeve të BE në përputhje me standardet e KE. Për këtë qëllim janë ngritur njësitë përkatëse, më e madhja është në ministrinë e Financave, por krahas kësaj funksionojnë njësitë në të gjitha ministritë e linjës, njësi të kualifikuara këto dhe më së fundi të audituara dhe të certifikuara nga vetë ekspertët e fushës së KE. Një dokument prej mbi 6 mijë faqesh i është paraqitur KE, si dokument bazë për akreditimin e këtyre strukturave dhe certifikimit të tyre nga BE.
I kemi mbyllur dhe rekomandimet e auditorëve. Shqipëria është vendi i parë në rajon që kualifikon administratën e vetë për të marrë përsipër prokurimet e fondeve të BE në përputhje me standardet.
Po a jeni serioze apo si? Si mund të jenë pjesë e një programi qeverie për 4 vjet, një element i zakonshëm i punës të një specialisti në Ministri të Integrimit. Po a mendoni se sa qesharake do t’i dukeni atyre që e kanë si “bukë me djathë” këtë punë? Plotësojnë nga 10 detyrime si këto në ditë!
I vetmi kusht i papërmbushur është mosndryshimi i strukturave shqiptare për menaxhimin e fondeve të BE-së. Një ndryshim i personelit do të sjelli një mision të ri të auditimit për të parë sa përputhen kandidaturat e reja me kërkesat e vendit të punës.
Vazhdojmë me shpikjen e radhës:
Ne e konsiderojmë suksesin e procesit të integrimit evropian, të lidhur ngushtë me komunikimin e zhdërvjelltë që duhet të përfshijë të gjithë aktorët kryesorë, e sidomos partnerët socialë, shoqërinë civile, shoqërinë akademike dhe grupet e interesit, etj., etj.
Për pyetësorin e BE: Për hartimin e përgjigjeve të tij u angazhuan rreth 1200 nëpunës civilë të ndihmuar nga 24 ekspertë dhe akademikë shqiptarë, 28 ekspertë ndërkombëtarë dhe 67 përkthyes. Menaxhimi i procesit të përgjigjeve të pyetësorit dhe roli i Ministrisë së Integrimit në këtë proces, u vlerësua edhe nga Komisioni Evropian në Raportin Analitik te vitit 2010.
Për Planin e Veprimit, për 12 rekomandimet; mbi 60 OJF dhe Komisioni i Integrimit janë konsultuar gjithë kohës.
E fundit për këtë pjesë.
Keni thënë në fushatë që do të përforconi rolin e Ministrisë së Integrimit. Ndërsa në tekstin – program, thuhet: “MIE do të koordinojë procesin e integrimit së brendshmi. Së jashtmi do të koordinohet nga Ministria e Jashtme”.
Tani, nëse Ministrit të Integrimit do t’ i hiqni, marrëdhëniet me Brukselin, me Komisionin Evropian, do t’ i hiqni edhe rolin e NIPAC ( koordinatorit kombëtar të IPA-s), atëherë Ministrinë e Integrimit do ta ktheni në sektor. Mund edhe ta shkrini, por për sa kohë s’e keni bërë, pse i hiqni misionet kryesore?
Kaq keni thënë në një faqe program, pa datë, pa kohë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Por duke qenë se arritja e standarteve evropiane është detyrim në të gjitha fushat, teksti- program duhej lexuar dhe më tej.
Dhe për më tepër që angazhoheni që do të përmbushni pjesën e mbetur të 12 rekomandimeve.
“Objektivi ynë në 4 vitet që vijnë është rikthimi i dinjitetit në administratën publike, duke e çliruar nga politizimi dhe duke e profesionalizuar në të gjitha nivelet. Për të arritur këtë objektiv do të bëjmë të aplikueshëm ligjin e nëpunësit civil, duke krijuar kuadrin real të aplikimit të tij dhe duke e zbatuar atë me rigorozitet nëpërmjet konkurseve të hapura e transparente për punësimin në shërbimin civil dhe procedurave transparente të ngritjes në karrierë”.
E para, këtë ligj e vonuat për një vit. E dyta, si do ta zbatoni këtë prioritet, kur ke filluar konkurset paralele në Facebook?
Trupa e administratës do të konkurrojë sipas ligjit apo sipas pëlqyeshmërisë partiake të kandidatëve të Facebook?
Faqja 23 e tekstit – program: “Në fokus të qeverisë do të jetë përmirësimi i cilësisë së shërbimeve publike dhe verifikimi i cilësisë së tyre nëpërmjet teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për ta rikthyer nëpunësin e administratës në shërbyes të qytetarëve.”
Shumë mirë!
Po qeveria është pjesë e inisitivës së “Open Government “ që në gusht 2011, ku shërbimet janë online, që nga shpenzimet ditore të thesarit e deri tek doganat, tatimet, provimet e shtetit, etj, etj.
Urime!
Do të bëni diçka që e kemi bërë.
Vijmë tek masat e reformat që do të marrë “rilindja” në luftën kundër korrupsionit.
Ka vullnet të palëkundur, qeveria e re thotë të luftojë korrupsionin. Këtë e kemi të qartë. E ke të trasheguar që kur ishe kryetar bashkie. Por si?
Me parandalim, ndërgjegjësim e ndëshkim.
Shumë mirë!
Për parandalimin, një nga masat që mbeti e parealizuar në çdo raport, heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë, për 7 vjet nuk votove. Vitin e fundit e votove vetëm pasi u kërcënove me referendum. Një lider opozite që nuk donte të zhvishte nga imuniteti pushtetarët, vetëm kryeministri i sotëm është.
Gjatë 2-vjeçarit 2011-2012, Shqipëria ka punuar seriozisht për të përmbushur rekomandimet e vendosura në fushën e antikorrupsionit nga grupe ndërkombëtare/rajonale monitoruese si GRECO i Këshillit të Evropës. Ne takimin e 60 plenar te këtij organizmi , me 17 qershor 2013, referuar konkluzioneve të raportit, GRECO konkludon se “Shqipëria ka trajtuar në mënyrë të kënaqshme të 12 rekomandimet që përmbahen në raundin e tretë të raportit të vlerësimit”.
"Do të zbatojnë me përkushtim legjislacionin dhe do të ndërmarrin nisma të reja lidhur me publikimin e dokumenteve zyrtare dhe transparencën në procedurat administrative."
Si pjesë e “Open Government“, të gjitha urdhrat që kanë lidhje me transparencën ndaj publikut, raportet e auditit, shpenzimet ditore të thesarit, janë të publikuara në website.
Është krijuar sistemi elektronik e-protokoll për ankesat e qytetarëve…
Ky mekanizëm nuk ka asgjë të shtuar nga mekanizmi aktual. Nismat ligjore i bën ministria përkatëse në përputhje me Kushtetutën, neni 81.
Do të ngremë strukturën e Koordinatorit Kombëtar kundër korrupsionit. Që do të ketë mandat.
(I) Për të propozuar nisma ligjore dhe institucionale me qëllim çrrënjosjen e korrupsionit nga radhët e administratës publike dhe të të gjithë segmenteve shtetërore që ofrojnë shërbim
publik;
(II) për të koordinuar, monitoruar dhe raportuar mbi zbatimin e politikave qeveritare dhe shtetërore kundër korrupsionit. Po ashtu, në çdo ministri qeveria e re do të angazhojë një drejtues të lartë si përgjegjës për koordinimin e punës, për zbatimin e legjislacionit dhe të programeve qeveritare për eliminimin e korrupsionit.
Koordinatori nuk do të jetë as Kryeministri, si ka qenë më parë.
Ju sugjeroj të bëni z. Nasip Naço, sepse kapitulli që do të ndjekë Ministri i Drejtësisë, ai 23, përfshin edhe masat antokorrupsion.
Si përfundim.
Një program duhet të jetë i besueshëm, i realizueshëm dhe ata që e zbatojnë të kenë integritet.
Ky program, s ‘ka asnjërën prej këtyre.
Në fushatë dëgjuam për 100 ditë, e më pas për 300 ditë. Asnjë afat i tillë nuk është në këtë pamflet – program.
Asnjë kosto, buxhetin se si, e ku do të gjinden fondet për të realizuar shëndetësinë falas, heqjen e taksës së biznesit të vogël, legalizimet falas e faturën dhe afatet e dëmshpërblimit të të përndjekurve, të cilët presin të dëmshpërblehen vitin e parë të qeverisjes, këtu nuk ka.
Të hënën nisesh për në Bruksel, për të kapur trenin. Rrugën do ta gjesh të shtruar, po aq të shtruar sa ç’gjete Rrugën e Kombit, atë të Elbasanit, apo atë të bregut e me mijëra kilometra rrugë rurale, ku lehtësisht mbërrije në fushatë, por më lehtësisht gënjeje.
Do të rrëfejnë siç të kanë thënë edhe herë të tjera, se Shqipëria e meritonte me kohë Statusin e vendit kandidat, ndaj Komisioni e propozoi.
Do të rrëfejnë, se si Shqipëria nuk është në listën e vendeve problematike për shkelje të Liberalizimit të Vizave dhe ndoshta ta kuptosh se kjo është, falë zhvillimit që arriti ky vend gjatë qeverisjes Berisha. Do të të kujtojnë edhe se si ti nise grevë urie për ta bllokuar lëvizjen e lirë të shqiptarëve.
Do të të rrëfejnë se sa dëm i ke bëre vendit me bllokimin tënd. Të paktën ji i qetë, se nuk do të gjesh atje email-e anonime kundër vendit te cilin do ta drejtosh si kilometrat, siç ndodhte kur ti ishe në opozitë.
Jo. Asnjërën prej këtyre, sepse trenin që do të kapësh ti sot, e ke aty. Të mbushur siç e lamë, me detyrime të plotësuara. Ti duhet vetëm të heqësh gurët që i vure vetë nën rrota.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





