

Serbi, 14 shtator 2013, NOA – Ministri pa portofol në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, ka deklaruar se edhe pas zgjedhjeve lokale të nëntorit, Serbia do të vazhdojë të ndihmojë serbët në Kosovë. “Në qoftë se do të kemi 10 kryetarë komunash në Kosovë, të cilët janë në listat që përkrah Qeveria e Serbisë, do të mundemi pa kurrfarë problemi të financojmë gjithçka që kemi financuar deri tash dhe nuk do ta humbim asnjë vend pune”,- ka thënë Vulin.
Ai ka vlerësuar se Prishtina dëshiron që serbët të dalin në numër sa më të vogël në zgjedhje, në mënyrë që në vendet në bashkësinë e komunave serbe të vendosin njerëzit e afërt me qeverinë e Kosovës. I pyetur lidhur me sulmin ndaj familjes së Oliver Ivanoviçit, i cili ndodhi dje në veri të Mitrovicës, Vulin i ka thënë agjencisë “Beta” se ende nuk dihen autorët e veprës.
Vulin ka thënë se Serbia nuk e ndryshon politikën e saj në Kosovë, kurse në pyetjen lidhur me ndërrimin e kryetarëve të deritashëm të katër komunave në veri të Kosovës, ai ka thënë se ka ardhur koha që atë punë ta kryejnë njerëz të tjerë. Ministri serb ka ftuar serbët e Kosovës të dalin në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





