Transmetuar më 12-09-2013, 22:20

Javët në vijim do të jenë përcaktuese për të ardhmen e trajnerit të kombëtares së Shqipërisë, Xhani De Biasi, i cili pas humbjes me Islandën deklaroi se vendimi për vijimin e punës së tij në krye të kuqezinjve është ekskluzivitet i presidentit të federatës, Armando Duka.

E ndërsa pritet të zhvillohen edhe dy ndeshjet e mbetura të këtij edicioni, ka nisur një fushatë sensibilizuese për të rinovuar kontratën me italianin, i cili vlerësohet sidomos për afrimin e elementëve të shumtë dhe cilësorë nga kampionatet europiane.

Grupimi i “Tifozave Kuq e Zi” përmes një letre publike i ka kërkuar presidentit të FSHF, Aramndo Duka që të zgjasë bashkëpunimin me De Biasin, pasi beson te projekti i 57-vjeçarit.

Tifozat Kuq e Zi i bëjnë thirrje Federatës Shqiptare të Futbollit që të rinovojë kontratën me trajnerin Xhani De Biazi, citon Supersport.

Jemi dëshmitarë të renditjes rekord të FIFA-s dhe të afrimit të talenteve në numër tejet të madh (rreth 40), çka na bën të mendojmë se projekti “De Biazi” është për një periudhë afatgjatë, dhe Tifozat Kuq e Zi e përkrahin vazhdimin e projektit të trajnerit, duke i dhënë mbështetje morale".

Mbështetësit më të zjarrtë kuqezi i japin në njëfarë mënyrë një assist De Biazit, që tashmë ka një argument më shumë, pikërisht përkrahjen e tifozëve, për të bindur Dukën që t’i rinovojë kontratën.

Kur u emërua trajner i Shqipërisë De Biazi gjeti një skuadër të pashpresë, por edhe nëse nuk bie dakord me Dukën për vijimin e bashkëpunimit, kuqezinjtë do të kenë arsye për të ëndërruar sërish në eliminatoret e Europianit 2016 pikërisht falë profesionalizmit të treguar nga tekniku italian.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit