

Tiranë, NOA.al- Sipas MeteoAlb, dita do të nisë me vranësira dhe shira të dobët në zonat veriore dhe verilindore ndërsa Qendra dhe Jugu paraqiten me vranësira dhe intervale kthjellimesh.
Pjesa e dytë e ditës do të vijojë me vranësira dhe shira lokale në të gjithë territorin por më të dendura shirat paraqiten në zonat jugore dhe jugperëndimore. Gjatë natës parashikohet largim gradual i vranësirave dhe shirave nga i gjithë vendi.
Temperaturat e ajrit në mëngjes do të ulen me rreth 2 gradë, më e ndjeshme në zonat Veriore POR edhe mesdita do të sjellë rënie të ndjeshme të tyre.
Era do të fryjë mesatare, duke arritur shpejtësi maksimale deri 45 km/h nga drejtimi Veriperëndimor – Verior, për pasojë në det do të ketë dallgëzim 3- 4 ballë.
Europa
Zhvillimi i dy qendrave ciklonare në Rumani dhe Turqi do të sjellë vranësira dhe shira të konsiderueshëm në pellgun e Detit të Zi dhe vendet e Europës Juglindore. Po ashtu, vranësira dhe shira të dobët do të ketë në zonën rreth Alpeve Europiane duke përfshirë edhe gadishullin e Ballkanin Verior si pasojë e kalimit te nje sistemi frontal drejt këtyre rajoneve. Me shira paraqitet situata në veriperëndim të Europës por shirat do të jenë më të pakët.
Ndërsa Europa Jugperëndimore, një pjesë e Qendrës dhe Veriu i kontinentit do të karakterizohen nga mot i kthjellët. /a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





