Transmetuar më 12-09-2013, 13:18

Tiranë, 12 shtator 2013, NOA.al- Me rastin e 15 vjetorit ta vrasjes së tij, Heroi i Demokracisë Azem Hajdari u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, ku do të prehet përgjithnjë.

Në fjalën e mbajtur pak para varrimit, kryetari i Partisë Demokratike, njëherësh kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha, tha se Azem Hajdari u vra se ishte ndër nismëtarët e Partisë Demokratike.

Sipas tij ai u vra në kulisat e pabesive dhe jo ballë për ballë, ndërsa kujtoi faktin se ishte një ndër aktivistët e lëvizjes së dhjetorit, duke e cilësuar si prijësin e tyre.

Basha theksoi se ai ishte prijësi i lëvizjes studentore, e ndaj dhe u vra, pasi kishte qenë protagonist për hapjen demokratike te vendit.

Azem Hajdari, Heroi i Demokracisë mban titullin më të lartë të Republikës së Shqipërisë “Urdhrin e Flamurit” dhe urdhrin më të lartë në Republikën e Kosovës, “Medaljen e Lartë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, të dhënë nga ish – Presidenti Ibrahim Rugova. Azem Hajdari është Qytetar Nderi i Tiranës dhe pothuajse i të gjithë bashkive dhe komunave të Republikës së Shqipërisë. /a.y/noa.al/

PS dhe LSI, homazhe për Azem Hajdarin

Topi: Azem Hajdari do të mbahet mend si njeri i papërlyer

Meta: Ëndrra e gjeneratës së Hajdarit duhet të bëhet realitet

Fjala e kreut të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha:  

“Sot  kemi ardhur te ky vend i zgjedhur dhe i shenjtë i prehjes së dëshmorëve  të atdheut, për të sjellë  eshtrat e një heroi, për t’u përkulur me nderim e mirënjohje të thellë para veprës së  tij, për t’u betuar në heshtje, si në një tempull të udhës sonë, para kujtimit  të tij.

Rini e Shqipërisë, ti që ishe foshnje në vitet nëntëdhjetë  të shekullit të kaluar, ti që linde në ato vite, ti  që je tani bukuria dhe shpresa e re e këtij vendi të lirë dhe demokratik! Kujtohu, kujtohu sot se ishte një djalë i ri ai që u priu studentëve, në dhjetor të vitit 1990, kur ata u  ngritën dhe kërkuan udhëkryqin e historisë, në natën e errët pa busull të Shqipërisë komuniste. Liri dhe Demokraci! Kujtohu se ky djalë ishte studenti i Fakultetit të Filozofisë,  Azem Hajdari, kujtohu dhe krenohu, kujtohu dhe mendo!

Ai nuk është më fizikisht mes nesh, edhe pse po të ishte gjallë, sot do të ishte vetëm 50 vjeç. Na mungon të gjithëve, u mungon familjes dhe të afërmëve, shokëve dhe miqve, i mungon Shqipërisë. Pesëmbëdhjetë vjet më parë, në një ditë zije, dhimbje të thellë  dhe revolte të ligjshme, demokratët  dhe mbarë njerëzit e lirë të  Shqipërisë  i dhanë lamtumirën e fundit tribunit të tyre, krah i djathtë i Sali Berishës, në betejat e mëdha politike për  themelimin dhe afirmimin e Partisë Demokratike, për mbrojtjen e  kësaj partie në ditë shumë të vështira, nga skenarët  ogurzinj që synonin eliminimin e saj. Ajo ditë e mallkuar, megjithatë, nuk ka qenë errësira por drita; nuk ka qenë fundi por fillimi  i përjetësisë për  Azem Hajdarin, për  vendin e merituar që ka dhe do të ketë përgjithmonë në historinë e demokracisë shqiptare.

Gjatë këtyre viteve, Azem Hajdari është nderuar me urdhërat  dhe titujt më të lartë nga  presidentët e Shqipërisë dhe Kosovës. Azem Hajdari është Qytetar Nderi i Tiranës dhe i shumicës dërrmuese të qyteteve  të Shqipërisë, i votuar si i tillë me konsensus të gjerë nga këshillat pluralistë të bashkive. Rrugë, lagje, shkolla, ekipe sportive, etj mbajnë emrin e tij. Megjithëse  ka kaluar vetëm një dekadë e gjysëm nga dita e tij e rënies, Azem Hajdari  pason rilindësit tanë më të shquar, për sa u takon vlerësimeve dhe nderimeve institucionale, sepse Lëvizja Demokratike e dhjetorit 1990 shënoi ndarjen e Shqipërisë nga diktatura  komuniste, fillimin e erës së re të demokracisë perendimore. Kjo ishte dhe mbetet sot e gjithë ditën Rilindja e vërtetë e Shqipërisë, pas dekadave të izolimit dhe robërisë.

Sot, në pesëmbëdhjetë vjetorin e ndarjes  fizike  të Azem Hajdarit prej nesh, po ritakohemi  në këtë homazh të ri, me kujtimin dhe veprën e tij. Besoj se nuk ka as edhe një njeri të vetëm të lire në këtë vend që nuk i detyrohet, në mos për tjetër, për hapin e parë që ai hodhi në planetin e demokracisë, në dhjetor 1990, kur ai i pari dhe  studentët e tjerë me të,  kërkuan dhe diktuan pluralizmin politik. Nga largësia e viteve, ne sot mund ta themi me gojën plot, se prej atij çasti, koha e re e Shqipërisë demokratike u nis dhe filloi të rrjedhë në drejtimin që treguan studentët, intelektualët e thirrur prej tyre, Azem Hajdari si prijës i tyre.

Kujtesa e kombit e ka regjistruar Azem Hajdarin, si njeriun që vrau frikën, çliruesin e  shpirtit kryengritës, kundër diktaturës më të egër në Europë, në një periudhë të vështirë, kur regjimi në Tiranë synonte izolimin e themeluesve të PD-së, duke i paraqitur në popull si “tradhëtarë legalë”, bashkimi me të cilët ishte me pasoja.

Azem Hajdari u nis në këmbë, si i thonë fjalës, qytet me qytet, për të zgjuar Shqipërinë e ndrydhur nga  terrori  dhe mashtrimet komuniste,  për ta  nxjerrë në rrugë dhe në sheshe  popullin e tij, me thirrjen e lirisë dhe demokracisë. Ai e mundi terrorin, me guximin e tij të jashtëzakonshëm.

Dikur, nga thellësitë  e kohës,  ka pas ardhur gojëdhëna se heronjtë janë ata që nuk vdesin në shtrat, por flijohen para kohe, për kauza që kërkojnë sakrifica sublime. Mendonim se në vigjilje të mijëvjeçarit të ri, ky atavizëm ishte dicka e kapërcyer edhe për civilizimin shqiptar; mendonim se në Shqipërinë pluraliste të vitit 1998, pavarësisht konflikteve të forta politike mes opozitës dhe qeverisë, nuk kishte arsye për vrasje politike. Por ishim  gabuar! Koha kishte ngecur në vend ose ishte kthyer prapa për armiqtë e lirisë dhe kombit shqiptar që nuk përballonin dot luftën politike, në tribunat e fjalës së lirë, që nuk pajtoheshin dot me zhvillimet fatlume që po trokisnin për kombin shqiptar.

Azem Hajdari u vra mbrëmjen e 12 shtatorit, para selisë së Partisë Demokratike. U vra sepse kishte qenë prijësi i Lëvizjes Studentore  të dhjetorit 1990; u vra sepse kishte qenë protagonist në përpjekjen e suksesshme, për fitoren paqësore të pluralizmit dhe hapjes demokratike të vendit; u vra sepse kishte qenë themelues i orëve të para dhe kryetari i parë i Partisë Demokratike, nga dhjetori i vitit 1990 deri më 14 shkurt 1991; u vra sepse kishte qenë fjalësjellës, zëdhënës dhe mbrojtës guximtar i demokracisë dhe çështjes kombëtare; u vra sepse ishte ngulur në kufirin që ndante kohët e Shqipërisë, si një barrierë  e pakalueshme e kthimit prapa të fatit të saj.

Nuk është e vërtetë, se përmbysja e komunizmit në Shqipëri u bë në mënyrë krejt  paqësore. Lëvizja shqiptare për liri dhe demokraci ka dhënë liderin e saj të parë, ka  paguar me gjakun dhe jetën e Azem Hajdarit. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër ish- komunist. Nuk e vranë në betejën ballore të fillimit por  pas disa vitesh, në kulisat e pabesive dhe revanshit. Sot, ndërsa vazhdon të lartësohet në pidestalin e nderit të kombit,  figura e Azem  Hajdarit  apelon  më fort se kurrë, për  bashkim dhe unitet rreth vlerave të demokracisë dhe çështjes kombëtare.

Vertet  ishte  themelues dhe drejtues i lartë i  Partisë  Demokratike, por  trashëgimia dhe testamenti  i tij politik u përkasin gjithë shqiptarëve, pa dallim partish, krahinash dhe fesh.Megjithatë, në këtë çast, ne të gjithë kemi dëshirë të thërrasim thirrjen tonë të njohur:

“Azem, ti je gjallë!”

Sepse ti je e do të jesh Shqipëria e lirë dhe demokratike.

Sepse ti je e do të jesh Shqipëria në NATO.

Sepse ti je e do të jesh ëndrra jonë për Shqipërinë në Europë.

Sepse ti je e do të jesh Kosova e lirë.

Sepse ti je e do të jesh kombi i bashkuar, në rrugën drejt Europës.

“Azem, ti je gjallë!”

Sepse ti je e do të jesh vizioni, qëndresa, guximi ynë.

Sepse je e do të jesh frymëzimi i brezave që kanë mësuar nga ti, se liria u përket atyre që luftojnë çdo ditë për ta fituar atë.

I përjetshëm kujtimi yt, prehu në paqe në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut!

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit