

Shkup, 12 shtator 2013/NOA.al – Qeveria e Maqedonia ka vlerësuar se edhe pas vizitës së ndërmjetësit të OKB-së, Metju Nimiç nuk ka asnjë sinjal pozitiv për zgjidhjen e kontestit të emrit midis Shkupit dhe Athinës. Një zyrtar i lartë i Qeverisë në Shkup theksoi se nuk janë tejkaluar dallimet dhe se problemi është tek pala greke e cila nuk tërhiqet nga pozicionet e saj të forta.
“Athina kërkon që vendi të emërtohet Republika e Maqedonisë së Epërme dhe ky emër të ketë përdorim të përgjithshëm, që do të thotë edhe për përdorim të brendshëm, por edhe të jashtëm”, ka theksuar për NOA, një zyrtar i lartë i kryeministrisë në Shkup. Ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimiç mbrëmë i ka dhënë fund vizitës së tij në Shkup, ku pati takime intensive me krerët më të lartë shtetëror, për t`i informuar për çështjen e emrit dhe zgjidhjet e mundshme.
Greqia siç bëhet e ditur kërkon pra emër të ri dhe me këtë të ketë edhe ndryshime kushtetuese dhe të dokumenteve personale dhe se emri Republika e Maqedonisë tërësisht të shlyhet.
“Pozicioni grek është se emri duhet të përdoret në çdo rast brenda dhe jashtë vendit për përdorim zyrtar. Dua të rikujtoj dhe sqaroj se bëhet fjalë pra për përdorim zyrtar edhe në OKB, marrëveshjet diplomatike dhe dokumentet zyrtare dhe nuk them këtu për atë që njerëzit e shfrytëzojnë në jetën e tyre të përditshme. Pozicioni grek është që emri patjetër duhet të përdoret gjithandej, ndërsa propozimi im është diçka më ndryshe”,- deklaroi Nimiç.
Ai ka theksuar se lidhur me këto çështje të lartpërmendura ka pasur dallime midis dy vendeve në takimet që ka zhvilluar në Athinë dhe më pas në Shkup. Pala maqedonase nuk është tërhequr nga pozicioni i saj, duke mos pranuar kërkesat greke, për të hequr dorë nga emri kushtetues i vendit si Republika e Maqedonisë.
Nimiç i hodhi si të pabaza spekulimet se si mbiemër është propozuar që emri të përmbajë Maqedoni sllovene dhe shqiptare. Ndërmjetësi i OKB-së paralajmëroi se nga Nju-Jorku do të vazhdojë të punojë për zgjidhjen e kontestit dhe do të jetë në kontakt me negociuesit e dy vendeve. /n.p/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





