Transmetuar më 11-09-2013, 01:52

Çdo shtetas shqiptar, i cili ka përfunduar shkollën e mesme dhe zotëron diplomë të Maturës Shtetërore, Dëftesë Pjekurie apo çdo Diplomë tjetër studimi, të fituar brenda ose jashtë vendit, të barazvlershme me të, ka të drejtë të aplikojë për në programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të pjesshme dhe edukimit në distancë, në institucionet publike të arsimit të lartë.

Kandidatët që zotërojnë Dëftesë Pjekurie apo Diplomë të fituar brenda ose jashtë vendit, të barazvlershme me të, duhet të kenë fituar provimet me zgjedhje dhe të paraqesin në aplikim, çertifikatën përkatëse të lëshuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve.

Sipas autoriteteve arsimore prioritet në listat e fituesve do të kenë maturantët që nuk mundën të siguronin dot një të drejtë studimi në konkurrimet që zhvillohet për sistemin e ditës.

Mesatarja është një ndër kriteret kryesore që do të shërbejë për seleksionimin e fituesve në degët ku fluksi i kërkesave është më i lartë se sa kuotat e miratuara. Për Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, janë miratuar në total 750 kuota studimi të ndara për tre programet në degën e Historisë, Gjeografisë dhe Gjuhë-Letërsisë.

Për Fakultetin e Shkencave Sociale, janë miratuar në total 70 kuota të destinuara vetëm për degën e Biologjisë. Për Fakultetin e Shkencave Sociale, janë miratuar 390 kuota studimi për të katër programet studimore në degët Punë Sociale, Psikologji, Sociologji dhe Filozofi.

Për Fakultetin Ekonomik janë miratuar në total 290 kuota studimi të ndara këto në mënyrë të barbartë në profilet Administrim-Biznes dhe Financë-Kontabilitet.

Për Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, janë miratuar në total 220 kuota pranimi për pranimet tek gjuha angleze, frënge, gjermane dhe ajo italiane.

Për Fakultetin e Drejtësisë, janë miratuar në total 300 kuota pranimi për studimet part-time.

Për Fakultetin e Infermierisë, janë miratuar 170 kuota studimi të ndara këto në degët Infermieri e Përgjithshme, Mami, Teknik i Lartë, Laborator, Fizioterapi, si dhe Imazheri.

Fituesit për shqiptarët që vijnë nga trojet

Kandidatët nga Republika e Kosovës, si dhe kandidatët shqiptarë nga Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja, kanë të drejtë të vijojnë studimet e larta publike në universitetet shqiptare, duke konkurruar për kuotat e veçanta që janë miratuar vetëm për këtë kategori.

Duke u ndalur konkretisht tek pranimet e sistemit të ditës, kjo kategori të aplikojë direkt pranë universiteteve publike, duke filluar nga data 2 shtator deri në 20 shtator, sipas kuotave të përcaktuara në vendimin përkatës.

Kjo kategori studentësh për të aplikuar duhet të dorëzojnë dosjen e dokumenteve të kërkuara, në brendësi të cilës duhet të jenë: “Fotokopja e noterizuar në vendin tonë, e Diplomës së Maturës Shtetërore së bashku me çertifikatën e notave, ose dëftesën e shkollës së mesme të fituar në vendin përkatës me çertifikatën e notave të legalizuara nga autoritetet drejtuese, vendore apo qendrore, të vendit ku kandidati ka përfunduar shkollën e mesme.

Në dosje duhet dorëzuar edhe një dokument identifikimi (Kartë Identiteti, pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit, 2 fotografi, si dhe mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.600 lekësh e paguar pranë zyrave të Postës Shqiptare.

Kuotat nga universitetet

Janë universitetet pritëse ato që marrin përsipër menaxhimin e kuotave për studentët nga trojet, mbështetur edhe tek nota mesatare e shkollës së mesme, si dhe notat e lëndëve, për të cilat strukturat universitare kanë vendosur koeficient më të lartë për pranimet e reja të këtij viti.

Në rast se, numri i kandidatëve që aplikojnë për t’u pranuar në një program të caktuar studimi, të cilët përmbushin kriteret e pranimit, është më i lartë se numri i kuotave të miratuara në Vendimin e qeverisë, universitetet bëjnë seleksionimet përkatëse në varësi të kritereve të caktuara.

Lista zyrtare e kandidatëve të shpallur fitues zbardhet brenda datës 1 tetor, dhe për një javë më pas sekretaritë e fakulteteve çelin procedurat e regjistrimeve për të gjithë kandidatët e shpallur fitues gjatë procesit të konkurrimeve.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit