

Tiranë, 10 shtator 2013, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me aleatët e djathtë, ku të pranishëm ishin kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka, kryetari i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet Shpëtim Idrizi dhe kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar Dashamir Shehi.
Në një konferencë në përfundim të takimit Basha tha se u diskutua lidhur me bashkëpunimin në aktivitetin e përbashkët si opozitë parlamentare por edhe më gjerë.
Sipas tij në krye të rendit të diskutimeve ka qenë problemi i shkaktuar gjatë paradites së sotme në raport me punimet e Kuvendit dhe konstituimin e plotë të tij dhe qeverisë së re.
Ai u ndal lidhur me programin qeverisës së Partisë Socialiste i cili pritet të përfshihet në seancën e ditës së nesërme parlamentare.
“Opozita del me një qëndrim të unifikuar të cilin duam t’iu bëjmë të ditur qytetarëve shqiptarë, interesin për transparencë dhe llogaridhënie në raport me pushtetin e zgjedhur. Sjellja arrogante dhe konfliktuale e përfaqësuesve të mazhorancës gjatë paradites në raport me parlamentarizmin është një problem për çdo qytetar. Konstatojmë mungesë serioziteti te Kryeministri i dekretuar i cili për më se një muaj ka marrë kohë për lloj lloj emërimesh, dreka dhe darka të kabinetit në pritje pa bërë asnjë transparencë. Kjo ka qenë zgjedhja e tij. Sot ndodhemi në një moment që kjo mungesë serioziteti të kthehet në programim të mungesës së seriozitetit. Çdo qytetar shqiptar, edhe ne jemi kuriozë të dimë se çfarë qëndrimesh do të mbajë kabineti i propozuar, si do të realizohen këto premtime, si do të realizohet shëndetësia falas, heqja e TVSH-së për ushqimet e shportës, heqja e taksave etj. Të jemi të sigurtë nëse një program paraqet seriozitet, opozita nuk do të mungojë të japë kontributin e vet pozitiv në realizimin e infrastrukturës së nevojshme”, tha Basha, citon Noa.al.
Në vijim ai shtoi se paraditen e sotme në Parlament u fol për vlera, ndërsa pasdite mënyrat e vjetra u vunë në veprim dhe gjuha konfliktuale u zgjodh për të komunikuar me opozitën.
Basha theksoi se ajo që kërkohet nga opozita është koha e nevojshme për tu njohur me programin qeverisës, duke e cilësuar mungesën e transparencës dhe mungesën e publikimit të programit qeverisës, si një fillim jo të mbarë të mazhorancës së re.
Ai tha se mungesa e transparencës është një shenjë e keqe dhe një fillim jo i mbarë për këtë mazhorancë, duke nënvizuar se Kryeministrit të mandatuar i jepet mundësia që të korrigjojë këtë gabim, duke u tërhequr nga ky akt.
Kryetari i PD deklaroi në vijim se, “Nëse nuk reflektojnë lidhur me qëndrimin e tyre atë që është një errësirë, atëherë opozita do të mbajë qëndrimin e saj të unifikuar dhe të prerë ndaj këtij akti të papranuar, përgjegjësia është e mazhorancës. Bëjmë thirrje të shmangin konfliktualitetin dhe të ofrojnë zgjidhje, të ofrojnë kohën e nevojshme, ashtu si mazhoranca e sotme e ka pasur kur ka qenë në opozitë. Qëndrimi i unifikuar do të thotë se ne jemi gati të ndërmarrim çdo hap dhe çdo veprim për të mbrojtur transparencën dhe kontrollon parlamentar”. /a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





