Transmetuar më 10-09-2013, 10:51

Shkup, 10 shtator 2013, NOA – NOA.al – Ndërmjetësi i OKB-së për zgjidhjen e emrit, Metju Nimiç sot do të jetë në Shkup për të biseduar me krerët shtetëror lidhur me gjetjen e një zgjidhje për kontestin e emrit.

Sipas mediave maqedonase në Shkup, propozimi i ndërmjetësit Nimiç parasheh emrin Maqedonia e Epërme, një emër që duhet të përdoret derisa zgjatin negociatat për anëtarësim në BE dhe NATO, ndërsa me përfundimin e këtyre negociatave, qytetarët e Maqedonisë përmes referendumit duhet të deklarohen rreth dy çështjeve: se a janë për anëtarësim në BE dhe pranimin e emrit Republika e Epërme e Maqedonisë. Përgjigja pozitive që do të marrë referendumi nënkupton që emri Republika e Epërme e Maqedonisë do të jetë emri kushtetues menjëherë sapo vendi të bëhet anëtare e BE-së.  Siç mësohet ky është një nga opsionet e mundshme që të dyja palët të afrojnë qëndrimet e tyre në negociata.

Nimiç pas takimeve në Athinë theksoi se takimi me ministrin e jashtëm Venizelos ka qenë shumë konstruktiv dhe se ai i ka kuptuar qartë pozicionet e Qeverisë së Greqisë. Nimiç nënvizoi se këto negociata janë të vështira dhe është me rëndësi që secila palë të kuptojë qëndrimet e palës tjetër, dhe më pas të ketë përafrime të qëndrimeve.

I pyetur nga gazetarët se a janë të sakta informacionet se propozimi i fundit është "Maqedonia e Epërme", Nimiç ka theksuar se asnjëherë nuk dëshiron të zbulojë propozime. "Ndonjëherë ajo që është e publikuar në media është e saktë, ndonjëherë jo", theksoi Nimiç. /n.p/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit