Transmetuar më 09-09-2013, 18:27

Tiranë, 9 shtatopr 2013, NOA.al- Ashtu siç ishte lajmëruar pak pas orës 18.00 ka nisur mbledhja e parë e Parlamentit, i cili i jep startin legjislaturës së re të Kuvendit, e cila do të përbëhet në shumicën e saj nga të majtët.

Deputeti socialist Namik Dokle i cili drejtoi edhe seancën e parlamentit, uroi kolegët e rinj dhe të vjetër, duke deklaruar se, “Uroj të dalim të gjithë faqebardhë në detyrën fisnike të deputetit, sepse Parlamenti kërkon mirëkuptim pozitë- opozitë. Uroj deputetët e zgjedhur për herë të parë, të kenë sukses dhe të mbrojnë dinjitetin e ligjvënësit shqiptar”.

Në vijim ai bëri me dije se tre deputetët më të rinj të Kuvendit, Ylli Shehu, Klajda Gjosha dhe Olta Xhaçka, do të kryejnë detyrën e sekretarisë së Kuvendit, deri në mbledhjen e byrosë.

Sakaq Dokle lexoi emër pas emri, sipas qarqeve emrat e 140 deputetëve të rinj të cilët do të jenë ligjvënësit e 4 viteve të ardhshme.

Sakaq Dokle theksoi se do të ngrihet Komision për verifikimin e mandateve, i cili do të përbëhet nga deputetët e PS, Armando Subashi, Ermonela Felaj, Besnik Bare, Vexhi Muçmata, për LSI nga Vangjel Tavo, ndërsa për PD, Voltana Ademi, Oerd Bylykbashi, Arben Ristani dhe Gerti Bogdani të cilët do të zhvillojnë mbledhjen e parë, për të parë dokumentacioni përkatës të të zgjedhurve.

Kryetari i përkohshëm i Kuvendit Namik Dokle bëri me dije se ditën e nesërme në orën 11.00 do të mblidhet sërish Kuvendi, për tu bërë betimi i deputetëve të rinj. Kujtojmë këtu se Partia Socialiste zgjodhi si kryetar të grupit parlamentar Gramoz Ruçin, Partia Demokratike Edi Palokën, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim, Petrit Vasilin. /a.y/noa.al

140 deputetët e rinj 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit