

Tiranë, 9 shtator 2013, NOA- Kryeministri Sali Berisha po zhvillon këto momente një takim me presidentin e vendit, Bujar Nishani. Sipas deklaratës që ka bërë vet kreu i qeverisë disa ditë më parë, pritet që gjatë orëve në vijim kryeministri të paraqesë dorëheqjen e qeverisë .
“Unë, në përputhje me detyrimet e mia, në momentin që do ta gjykoj më oportun dhe të afërt do t’i paraqes Presidentit të Republikës dorëheqjen e këtij kabineti dhe do të qëndrojmë si qeveri në detyrë deri në momentin që qeveria tjetër, në përputhje me Kushtetutën, të betohet te Presidenti i Republikës”, ka deklaruar më parë për këtë çështje Berisha.
Po sot, Berisha ishte i pranishëm në mbledhjen e grupit të Partisë Demokratike. Në një komunikim të shkurtë me mediat, pas mbledhjes se grupit parlamentar të PD-së, Kryeministri Sali Berisha, ka komentuar metodën e zgjedhur nga Partia Socialiste për zhvillimin e mbledhjeve të mbyllura për mediat, si një standard të papranueshëm.
“Kodi i heshtjes është një standard i qeverisë së piktorit”,- u shpreh Berisha për mediat.
a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





