Transmetuar më 09-09-2013, 11:43

Tiranë, 9 shtator 2013, NOA – Kryetari i PS-së dhe kryeministri i ardhshëm ka prezantuar sot këshilltaren për të drejtën publike. Në një postim në rrjetin social Facebook, Rama shprehet se profesorja Eradla Çani do të jetë pjesë e stafit të tij në kryeministri.

“Përzgjedhja më e fundit është profesorja e asociuar Eralda Çani, doktore shkencash në të drejtën publike, njohëse e spikatur e të të drejtës kushtetuese – administrative. Është mbresëlënëse eksperienca e saj shumë e pasur akademike brenda e jashtë vendit, po edhe praktika e përfshirjes aktive në jetësimin e projekteve të rëndësishme për të drejtën publike”,- shprehet Rama.

Ai shton se Çani do të jetë një vlerë në skuadrë e rilindjes. “Kam bindjen e plotë se kontributi i Eralda Çanit në procesin vendimmarrës do të forcojë ndjeshëm sensin e të drejtës publike të qeverisjes sonë, dhe do të jetë një vlerë e çmuar në mozaikun e talenteve e të eksperiencave të posaçme që po ndërthurim për skuadrën e re të këshilltarëve të kryeministrit”,- shprehet Rama.

Kreu i PS-së jep informacione dhe mbi mënyrën sesi do të funksionoj kabineti i këshilltarëve. “Kabineti i kryeministrit do të jetë një strukturë krejt e re dhe jotradicionale në formën e në mënyrën e funksionimit. Numri i këshilltarëve do të jetë më i kufizuar se zakonisht dhe fushat e tyre të përgjegjësisë janë specifikuar me kujdes, në funksion të nevojave strategjike dhe të procesit vendimmarrës në kryeministri”,- shprehet kreu i PS-së, Edi Rama.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit